Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka publikuar raportin më të fundit mbi situatën e krijuar nga reshjet atmosferike gjatë intervalit kohor 22:00 – 08:00 në Kosovë, duke paraqitur gjendjen në terren, ndërhyrjet emergjente dhe ndikimin në infrastrukturë në nivel vendi.
Sipas AME-së, në Prishtinë janë evidentuar vërshime në rrugën e Qagllavicës dhe në nënkalimet drejt Obiliqit, kryesisht si pasojë e kanalizimeve të bllokuara. Në komunën e Fushë Kosovës, situata është rënduar në fshatrat Lismir, Kuzmin dhe Sllatinë e Madhe, ku u raportuan përmbytje lokale.
Rajoni i Mitrovicës ka pasur gjendje më kritike në lagjen “2 Korriku”, ku rreziku i daljes së lumit Sitnica nga shtrati ishte i nivelit të mesëm. Falë ndërhyrjeve parandaluese, situata është vënë nën kontroll përmes vendosjes së rreth 200 metrave mur mbrojtës me thasë zalli. Operacioni u realizua me bashkëpunimin e AME-së, Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit Mitrovicë Jugore si dhe Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit të Kosovës.
Në rajonin e Ferizajt janë raportuar pesë raste vërshimesh në fshatrat Prelez, Mohoc, Tërrnë dhe Balaj. Si masë sigurie, dy persona të moshuar janë evakuuar nga zonat e rrezikuara, ndërsa pompat janë vënë në funksion për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të ujit.
AME njofton se në komunat e tjera, përfshirë Lipjanin, Podujevën, Shtimen, Prizrenin, Suharekën, Malishevën, Rahovecin dhe Dragashin, situata paraqitet stabile dhe rrugët janë të kalueshme.
Sipas raportit, reshjet e borës që kanë filluar në shumicën e komunave kanë ndikuar në uljen e rrezikut nga vërshimet, ndërkohë që institucionet relevante vazhdojnë të ofrojnë kujdes për personat e evakuuar.
Autoritetet bëjnë të ditur se Qendra Operative e AME-së mbetet në gatishmëri të plotë për reagim të shpejtë, përfshirë edhe mundësinë e aktivizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për mbështetje parandaluese.
AME u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat e përmbytura dhe pranë shtratit të lumenjve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)