Nën akuzë për mosdeklarim pasurie, Shpend Ahmeti del para gjykatës

Shpend Ahmeti është deklaruar i pafajshëm në seancën paraprake në procesin ku akuzohet për fshehje të pasurisë gjatë periudhës kur drejtonte komunën e Prishtinës.

21.01.2026. 11:40

Nën akuzë për mosdeklarim pasurie, Shpend Ahmeti del para gjykatës

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është paraqitur para Gjykatës për seancën e shqyrtimit fillestar, ku është ballafaquar me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për mosdeklarim të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Ahmeti akuzohet se nuk ka deklaruar mjete financiare në vlerë 172,600 euro.

Ahmeti theksoi se nuk e pranon fajësinë dhe u shpreh se nuk ndihet përgjegjës për veprën penale që i atribuohet.

Pas deklarimit të të akuzuarit, gjyqtari njoftoi Ahmetin dhe ekipin e tij mbrojtës se brenda afatit ligjor prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtime ndaj provave të paraqitura nga prokuroria, si dhe të parashtrojnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur aktakuzën ndaj Shpend Ahmetit më 23 dhjetor 2025 pasi në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022, kur ushtronte funksionin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, dyshohet se me dashje ka dorëzuar deklarime të pasakta të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, duke mos i përfshirë të ardhurat reale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)