Të dyshuar për manipulim votash, Gjykata e Prizrenit le në burg 23 persona

Gjykata e Prizrenit ka lënë në burg 1 muaj 23 persona, të dyshuar në manipulimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dhjetorit.

Burimi: REL

25.01.2026. 14:41

Të dyshuar për manipulim votash, Gjykata e Prizrenit  le në burg 23 persona

Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për 23 persona të dyshuar për manipulim të votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit përballen me disa vepra penale që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë cenimin e së drejtës së votimit, kanosjen, marrjen dhe dhënien e ryshfetit, si dhe falsifikimin e rezultateve të votimit. Ata janë komisionerë dhe vëzhgues që kanë marrë pjesë në procesin e numërimit të votave.

Aksioni u krye të premten gjatë një operacioni të gjerë policor në rajonin e Prizrenit, ku gjithsej u ndaluan 109 persona të dyshuar për manipulim të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur rinumërimin e plotë të votave në nivel vendi, pas konstatimit të mospërputhjeve serioze. Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, deri tani janë identifikuar rreth 80 mijë vota të pasakta.

Prokuroria ka bërë të ditur se manipulimi i votave nuk ka mundur të ndodhte pa bashkëpunim mes komisionerëve të partive kryesore politike.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar hetim të plotë dhe ndëshkim pa përjashtime për të gjithë të përfshirët. Hetimet për manipulim të votave janë zgjeruar edhe në komuna të tjera, përfshirë Ferizajn dhe Malishevën.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)