Naim Murseli mohon të ketë ushtruar ndonjëherë dhunë ndaj Liridona Ademajt, gjykata refuzon provat shtesë të mbrojtjes

Në seancën e sotme gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, i akuzuari Naim Murseli gjatë dhënies së dëshmisë së tij deklaroi se marrëdhënia me ish-bashkëshorten ka qenë e mirë dhe pa dhunë.

29.01.2026. 17:43

Naim Murseli mohon të ketë ushtruar ndonjëherë dhunë ndaj Liridona Ademajt, gjykata refuzon provat shtesë të mbrojtjes

Në seancën e sotme gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, i akuzuari Naim Murseli gjatë dhënies së dëshmisë së tij deklaroi se marrëdhënia me ish-bashkëshorten ka qenë e mirë dhe pa dhunë. Ai e cilësoi të ndjerën si “një grua të mrekullueshme, nënë shumë të përkushtuar dhe bashkëshorte të devotshme”, duke theksuar se gjatë 12 viteve martesë nuk ka pasur ndarje apo konflikte serioze.

“Marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mirë, larg qoftë të ketë pasur dhunë… asnjëherë në jetën time nuk kam ushtruar dhunë ndaj saj”, deklaroi Murseli në sallën e gjyqit.

Ai tha se familja kishte të ardhura të mjaftueshme financiare, rreth 45 mijë euro në vit nga ana e tij dhe rreth 20 mijë euro nga Liridona Ademaj. Sa i përket policave të sigurimit në Suedi, Murseli sqaroi se “edhe unë dhe Liridona kemi pasur të njëjtin sigurim, në të njëjtën shumë”, duke e cilësuar këtë praktikë si normale.

Murseli mohoi edhe pretendimet për ftohje të marrëdhënieve, duke thënë se “si çdo çift kemi pasur ndonjë grindje, por jo deri në prishje të raporteve”. Ai deklaroi se Granit Plavën e ka njohur vetëm përmes Kushtrim Kokallës dhe se arma e dyshuar për vrasjen ishte blerë “vetëm për qëllim shitjeje”.

Në të njëjtën seancë, trupi gjykues refuzoi propozimet e mbrojtjes për prova shtesë, përfshirë rikonstruimin e vendit të ngjarjes, ekspertizë të re psikiatrike për Granit Plavën dhe dëgjimin e dëshmitarëve të rinj. Kryetarja e trupit gjykues, Fatmire Dërmaku, tha se këto kërkesa “nuk janë relevante dhe nuk kontribuojnë në zbardhjen e çështjes”.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)