Bora nuk e ndal marshin pro UÇK-së, mijëra qytetarë mbushin sheshin e Prishtinës
Mijëra qytetarë kanë mbushur sheshin kryesor të Prishtinës, teksa ka nisur protesta paqësore e organizuar në nder të UÇK-së dhe kundër procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Parada e FSK-së dhe Policisë së Kosovës në sheshin qendror të Prishtinës ia ka lënë vendin mijëra qytetarëve që kanë ardhur nga të gjitha anët e vendit dhe trojeve shqipfolëse për të marrë pjesë në marshin e organizuar në nder të UÇK-së.
Teksa shënohet 18-vjetori i pavarësisë së Kosovës, qytetarë, politikanë, me në krye Presidenten Vjosa Osmani dhe anëtarë të shoqërisë civile po protestojnë në mbrojtje të lirisë dhe kundër procesit që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Marshi po zhvillohet me moton ‘Drejtësi, jo politikë’ dhe e ka veshur Prishtinën me flamuj kuqezi, ata të UÇK-së dhe posterat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për të cilët Prokuroria në Hagë kërkoi dënimin me nga 45 vite burg.
Protestën e çeli reperi i njohur, Lyrical Son (Festim Arifi) dhe një nga pjesëtarët e platformës “Liria ka Emër”, me një këngë patriotike.
Në protestë përveç Presidentes Osmani nuk mungojnë as politikanët e tjerë, si kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, apo kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla dhe ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, nga Shqipëria.
Edhe këngëtari i njohur Ilir Shaqiri u ngjit në skenën e protestës në Prishtinë së bashku me djalin e tij, Korabin, dhe nipin. Tre breza të bashkuar në një skenë, si simbol i së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, kanë prekur zemrat e të pranishmëve me interpretimin e një kënge patriotike.
Foto: Newsmax Balkans
Ndërkohë, familjarët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit e ndoqën nga afër marshin për “Drejtësi, jo politikë” nga Haga. Siç shihet nga pamjet, vëllezërit dhe nipat e Thaçit, djali i Jakup Krasniqit dhe familjarë të tjerë u ulën në një lokal ku ndoqën marshimin e mijëra qytetarëve.
Foto: Newsmax Balkans
Mes një deti njerëzish që brohoriste “UÇK”, UÇK”, ideatori dhe përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, mori fjalën në podiumin e ngritur në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë, duke kërkuar liri për çlirimitarët.
Ai hodhi akuza për drejtësi selektive dhe të dirigjiuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke nënvizuar se lufta e UÇK-së është çlirimtare dhe nuk mund të zhbëhet kurrë.
“Qytetarët duan drejtësi, jo politikë. E sot, nga kjo ditë e Pavarësisë, ne dërgojmë një mesazh të qartë për ata që gjenden në Hagë, për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët: 'Ju nuk jeni vetëm'. Pas jush qëndron një popull i tanë. Pas jush qëndron historia jonë, sakrifica jonë, liria jonë. Ata nuk janë vetëm”, u shpreh Tasholli.
E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman, u ngjit me emocione të forta në podiumin e protestës. Ajo theksoi se kjo ishte hera e parë që merrte pjesë në paradën e ushtrisë, duke e cilësuar si “një ndjenjë e jashtëzakonshme që vetë bijat e Adem Jashari sot mbrojnë Kosovën”.
E përlotur, Krasniqi u shpreh se “kjo ditë e shenjtë për popullin tonë, 18-vjetori i Pavarësisë, është një ditë krenarie për të gjithë ne dhe një përkujtim për ata që u flijuan për lirinë tonë”. Ajo shtoi se “liria nuk erdhi vetvetiu, por u fitua me gjak e sakrificë që do të kujtohet ndër shekuj”.
Duke folur si e dërguar speciale e presidentes Vjosa Osmani, Krasniqi theksoi: “Kam nderin të flas si e mbijetuar e dhunës seksuale, që zëri i viktimave po dëgjohet anembanë botës. Ne kërkojmë drejtësi për krimet që Serbia kreu në Kosovë”.
Në fund, ajo bëri thirrje për lirimin e ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po mbahen në Hagë.
“Popullin shqiptar e bashkon cenimi i lirisë dhe padrejtësia. Faleminderit që i shërbyet atdheut kur kishte nevojë më së shumti! Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi… Ata duhet të lirohen! Ata mbrojtën popullin e vet!”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin francez Emmanuel Macron me të cilin bisedoi tema të ndryshme nga siguria e kufijve tek rritja e kapaciteteve mbrojtëse.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin francez Emmanuel Macron me të cilin bisedoi tema të ndryshme nga siguria e kufijve tek rritja e kapaciteteve mbrojtëse.
Anëtarët e betuar përfaqësojnë partitë kryesore politike dhe komunitetet joshumicë, ndërsa për anëtarin e dhjetë, presidentja i është drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për sqarime ligjore.
Një stuhi e fuqishme ka goditur kryeqytetin kroat Zagreb, duke shkaktuar kaos në rrugë, dëme të mëdha materiale dhe të plagosur, ndërsa autoritetet kanë shpallur situatën si një nga më të rëndat e viteve të fundit.
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademit. Granit Plava, autori i vrasjes ka thënë se ka pasur marrëveshje me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, i cii i kishte premtuar se do ta nxirrte nga burgu pas dy vitesh, duke pretenduar se njeh njerëz me pushtet.
Komente (0)