Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar një riorganizim të procesit mësimor në të gjitha shkollat e kryeqytetit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, me qëllim përshtatjen e orarit për nxënësit dhe stafin që agjërojnë.
Sipas vendimit të ri, mësimi do të nisë çdo ditë nga ora 07:30. Po ashtu, është vendosur që të shkurtohet kohëzgjatja e pushimit mes orëve dhe pushimeve të gjata, në mënyrë që mësimi të përfundojë jo më vonë se ora 17:00.
Autoritetet komunale kanë theksuar se këto ndryshime nuk do të ndikojnë në numrin e orëve mësimore dhe as në kohëzgjatjen e tyre, duke garantuar ruajtjen e standardeve.
Nga Drejtoria e Arsimit bëhet e ditur se vendimi është marrë në frymën e mirëkuptimit dhe respektit ndaj komunitetit shkollor gjatë periudhës së agjërimit, duke synuar një organizim më efikas të ditës mësimore dhe shmangien e ngarkesave të panevojshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Institucionet arsimore në Prishtinë pritet të zbatojnë menjëherë këtë orar të ri, ndërsa drejtuesit e shkollave do të kujdesen për përshtatjen e brendshme të planeve ditore, në mënyrë që procesi mësimor të vijojë pa ndërprerje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)