Në një deklaratë drejtuar qytetarëve të Serbisë, Presidenti Aleksandar Vuçiç, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë licencën e kërkuar për vazhdimin e furnizimit me naftë të rafinerisë së NIS-it në Pançevë, gjë që detyroi shtetin serb të miratojë pezullimin e punës së rafinerisë. Ai u shpreh i zhgënjyer me vendimin e SHBA-ve, duke thënë se nuk e kupton logjikën prapa tij dhe se pasojat i përballon vetëm Serbia.
Sipas tij, Rusia nuk pranon shitje për arsye politike, ndërsa Kroacia ka bllokuar përdorimin e Janaf-it për importin e naftës, duke pretenduar se “jo vetëm NIS, por e gjithë Serbia është nën sanksione”.
Vuçiç tha se pavarësisht situatës, qytetarët nuk kanë ndjerë mungesa në furnizim gjatë 54 ditëve të sanksioneve. Ai konfirmoi se Serbia ka mjaftueshëm rezerva deri në fund të janarit.
Qeveria ka marrë vendim që deri në fund të javës të sigurojë funksionimin e pagesave për NIS-in, edhe pse kjo mund të rrezikojë sistemin bankar dhe Bankën Popullore të Serbisë.
Për shkak të krizës, qeveria do të raportojë çdo dy ditë mbi furnizimin me karburant. Nëse deri të premten nuk arrihet marrëveshje me Rusinë për gazin, Serbia do të nisë negociatat me furnitorë të tjerë nga e hëna. Në takimin e krizës morën pjesë kryeministri serb, ministrat kryesorë, guvernatorja e bankës qendrore, drejtues të sektorit energjetik dhe të ushtrisë.
Vuçiç paralajmëroi se periudha e ardhshme do të jetë sfiduese, por thotë se Serbia është përgatitur për të përballuar situatën.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)