Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sonte iu drejtua kombit duke folur për të gjitha temat e rëndësishme për Serbinë dhe qytetarët e saj.
I ftuar në Dnevniku Nacional, Vuçic u ndal tek vendimi i SHBA për të pezulluar disa nga sanksionet që i kishte vendosur kompanisë ruse të naftës Lukoil, çka rrjedhimisht bën që edhe 112 pompat e saj në Serbi ti rikthehen punës normalisht.
“Kam dy lajme të vogla, nuk janë aq të vogla, por as më të rëndësishmet. lajme relativisht të mira për qytetarët e Serbisë. Lukoil ka marrë zgjatjen e licencës deri më 26 prill, që do të thotë se 112 pompa në Serbi, prej tyre 11 në Beograd e të tjerat në pjesë të ndryshme të Serbisë, do të mund të funksionojnë me derivatet e naftës të importuara nga jashtë, jo vetëm nga NIS-i. Lajmi i dytë është se Serbia nuk do të ketë probleme me gazin. Deri në verë nuk do të kemi probleme me gazin, dhe këto janë lajme të mira për qytetarët. Ne presim që bankat tona të vazhdojnë të mbajnë funksional qarkullimin e pagave, të cilin ne e kemi rrezikuar tash e 55 ditë dhe, siç kam thënë, do ta vazhdojmë edhe për pak kohë”, sqaroi Vuçiç.
Më tej ai nënvizoi se logjika ruse dhe ajo amerikane është që nismat e tyre t’i çojnë deri në fund, ndaj ajo që do të paguajë prej kokfortësisë së tyre është Serbia. Presidenti serb dërgoi edhe një mesazh nën rreshta për në Kremlin, kur tha se shpreson që Lukoil të finalizojë shitjen përfundimtare të aksioneve në NIS, në mënyrë që të mos e mbajë Serbinë peng të raporteve të tyre të tensionuara me amerikanët.
“Do të ketë pafund probleme. E dini kush e ndërpreu i pari bashkëpunimin me NIS-in kur u vendosën sanksionet? Kompania ruse Lukoil. Ata të parët e ndërprenë bashkëpunimin me NIS-in dhe një kompani kineze gjithashtu. Ata nuk deshën të rrezikoheshin nga sanksionet sekondare, ndërsa banka serbe, kujt i intereson, ju rrezikoni sa të doni. Por mirë, ne po bisedojmë vazhdimisht me të gjithë, me njërin dhe tjetrin. Me zgjidhje më të lehta ose më të vështira, Serbia do të duhet të sigurojë plotësisht sigurinë energjetike. Nuk ka filozofi këtu ndaj përpiqemi, luftojmë dhe punojmë. Po presim të shohim, shpresojmë se ata do ta përfundojnë atë marrëveshje me një nga blerësit potencialë”, theksoi Vuçiç.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)