Ngjarje të rënda janë regjistruar në ishullin e Kretës, ku sipas raportimit të mediave greke, fermerë dhe blegtorë u përpoqën të afrohen dhe të bllokojnë aeroportet e Hanjës dhe Heraklionit, duke shkaktuar përplasje me policinë. Tensioni më i madh u regjistrua në aeroportin “Nikos Kazantzakis” të Heraklionit.
Fermerët u grumbulluan fillimisht pranë stadiumit dhe më pas nisën kortezhin drejt aeroportit. Megjithatë, forca të shumta policie kishin bllokuar hyrjet nga rrugët. Kur protestuesit këmbëngulën të avanconin, shpërthyen përplasje, me hedhje gurësh, përdorim të lëndëve kimike, fishekzjarre dhe mjete zhurmuese.
Gjithashtu një automjet u përmbys, ndërsa dy persona u plagosën, njëri prej tyre me detyrë oficer policie. Situata solli kaos të plotë në qarkullimin rrugor, veçanërisht në Aksin Verior të Kretës, deri në qendrën e qytetit.
Përplasje të ngjashme u regjistruan edhe jashtë aeroportit të Hanjës, ku fermerët tentuan të çanin barrikadën e policisë. Tensione u regjistruan edhe jashtë zyrës së Ministrit të Zhvillimit Rural, Kostas Tsiaras, në qytetin e Kardicës. Fermerët, të cilët mbërritën me një numër simbolik traktorësh, gjetën rrugën të bllokuar nga policia dhe kërkuan largimin e forcave të rendit, duke vënë në dyshim pretendimet e qeverisë për dialog “me dyer të hapura”.
Fermerët dhe blegtorët vijojnë dhe intensifikojnë protestat në mbarë Greqinë. Në Asambletë e reja janë planifikuara, pritet të merren vendime për hapat e radhës. Aktualisht, në gjithë vendin numërohen të paktën 20 bllokada bujqësore, ndërsa mijëra traktorë janë vendosur përgjatë akseve kryesore rrugore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)