Fermerët dhe blegtorët e Kretës ishin më të dhunshmit e protestave mbarëkombëtare nga kjo shtresë e shoqërisë greke që kanë nisur prej disa ditësh tashmë. Këtë të hënë fermerët kretanë shkaktuan incidente të rënda në Heraklion dhe Hania, duke gjuajtur me gurë dhe lëndë kimike efektivët e policisë që ishin dislokuar për të parandaluar trazira.
Tetë oficerë policie u plagosën, ndërsa u regjistruan edhe sulme ndaj automjeteve të policisë, me disa prej tyre që përfunduan në kanalet anësore të rrugëve të bllokuara.
Ndërkohë në orët e mbrëmjes po të njëjtët fermerë thyen bllokadën e policisë në aeroportin e Heraklionit dhe Hanias, me traktorë dhe automjete bujqësore që u stacionuan në hyrjet e tyre, duke paralizuar aktivitetin aty.
Në aeroportin "Nikos Kazantzakis" fermerët hynë deri në pistë ku qëndruan për rreth dy orë, ndërsa në "Ioannis Daskalogiannis" bllokuan rrugët për ta bërë të paaksesueshëm këtë aeroport. Fermerët në Heraklion u takuan dhe i informuan qytetarët se do ta mbyllin përsëri aeroportin të martën në mëngjes.
Ndërkohë, Presidenti i Shoqatës së Blegtorëve të Kretës, Lefteris Triantafyllakis, duke folur për neakriti.gr, u ankua se "na sulmuan”.
“Si mund të qëndronim duarkryq?", pyeti ai teksa diskutohej dhuna ndaj policisë. Siç vuri në dukje ai, aeroporti i Heraklionit do të mbetet i mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm, me zhvillimet që do të gjykohen nesër në takimin e Komitetit Koordinues.
Presidenti i blegtorëve theksoi se Kreta mbështet ekonominë e saj në sektorin primar dhe turizëm. "Ata duan të sakrifikojnë sektorin primar. Ne nuk do ta lejojmë. Ne tashmë i shohim fëmijët tanë dhe nuk mund t'u ofrojmë gjërat e nevojshme."
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)