Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar seanca e shqyrtimit fillestar për rastin e rezervave shtetërore, ku në bankën e të akuzuarve duhet të ishte edhe ministrja në detyrë e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila nuk u paraqit.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më 11 nëntor, duke e ngarkuar Hajdarin dhe dy zyrtarët e ministrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Sipas aktakuzës, gjatë shkurtit dhe marsit 2022, të akuzuarit dyshohet se kanë keqpërdorur pozitat e tyre me qëllim përfitimi për persona të tjerë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej rreth 3 milionë eurosh.
Prokuroria pretendon se zyrtarët kanë blerë sasi të vajit dhe grurit jashtë vendit, por mallrat nuk kanë arritur kurrë në Kosovë.
Ministrja e ka cilësuar akuzën si sulm politik ndaj Qeverisë Kurti, ndërsa kryeministri në detyrë i ka dalë në mbrojtje, duke mohuar ekzistencën e korrupsionit. Ai është ftuar si dëshmitar, por ka refuzuar të paraqitet në Prokurorinë Speciale, duke insistuar të dëshmojë në objektin e Kryeministrisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)