Fermerët grekë kanë paralizuar sërish autostradat kryesore të vendit ditën e sotme. Pas bllokimit të aeroiporteve në Kretë, bë Volos është shënuar një tjetër formë proteste, ku edhe peshkatarët i janë bashkuar tubimeve duke bllokuar portin tregtar si nga deti ashtu edhe nga toka. Mediat greke raportojnë se fermerët e zonës, peshkatarët dhe blegtorët u bënë të gjithë bashkë për të konkretizuar këtë nismë.
Pak para orës 9 të mëngjesit, fermerët nga bllokada e Mikrotebës mbërritën në Volos, ndërsa fermerët nga bllokada e Nikjas u mblodhën në orën 8:30 të mëngjesit në kryqëzimin e Platikampos, ku u takuan me fermerët nga bllokadat e Kardhicës dhe Trikallasë, në mënyrë që të mund të zbrisnin drejt portit. Fermerët kaluan Volosin me traktorët e tyre derisa arritën në port, ku po vazhdojnë me bllokadë, ndërsa në hyrje të portit ka prani të madhe të forcave të policisë që po përpiqen ti largojnë prej aty. Skena të ngjashme edhe në kalatat e portit tregtar Bourboulithra, ku janë ankoruar pesë anije.
Duke folur në emër të protestuesve, sindikalisti Christos Pantzios theksoi se "kemi shumë njerëz që janë bashkuar me", ndërsa nënvizoi gjithashtu se "nuk kemi ndërmend të krijojmë probleme".
Ai bëri thirrje që policia për menaxhimin e trazirave të largohet nga vendi ku po protestojën për të shmangur konfrontimet. Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm Rajonal i Policisë së Thesalisë theksoi se forcat e rendit nuk do të krijojnë probleme, për të shmangur skena dhune si ato që ndodhën në Kretë dy ditë më parë.
“Ka udhëzime specifike që ndjekim dhe duhet të mbrojmë infrastrukturën bazë", theksoi ai.
Në të njëjtën kohë, fermerët dhe blegtorët nga Rajoni i Greqisë Perëndimore vazhdojnë të qëndrojnë në bllokadat e ngritura në Aitoloakarnania, Akai dhe Ilia. Në Aitoloakarnania, autostrada Antirio - Janinë mbetet e bllokuar pranë Agrinjos, ndërsa komiteti koordinues ka bërë thirrje për mobilizim sot në orën 11:00 të mëngjesit, në mënyrë që të bllokojnë urën e Patrës, që bashkon Greqinë. Edhe autostrada kombëtare Athinë-Lamia mbetet e bllokuar në katër pika kyçe, në Bralos, Atalanti, Kastro Viotias dhe Thiva.
Pasditen e djeshme, gjatë asamblesë së tyre të përgjithshme në bllokun Nikaia, fermerëtgrekë iu përgjigjën ndërhyrjes së Gjykatës së Lartë në çështjen e tyre.
"Është një truk komunikimi nga qeveria, e cila është nën presion. Pse sistemi i drejtësisë nuk tregoi të njëjtin zell për skandalin e fondeve të BE”, thanë ata.
Ata njoftuan gjithashtu se të premten e ardhshme do ta zgjerojnë protestën e tyre në Larisa në zyrën e zv/ministrit të Zhvillimit Rural Christos Kellas, Sekretarit të Përgjithshëm të grupit parlamentar të Demokracisë së Re, Maximos Harakopoulos dhe deputetit të kësaj partie, Christos Kapetanos.
Në të njëjtën mediat greke raportojnë se qeveria në Athinë po përgatitet të arrijë një kompromis për një takim me fermerët, pasi do të bëjnë të ditur paketën mbi të cilën po punojnë tashmë dhe që ka të bëjë me kostot e prodhimit për të cilat ata po ankohen.
Nuk përjashtohet mundësia që ky takim të zhvillohet javën tjetër me qëllim shmangien e bllokimit të rrugëve me traktorë gjatë festave të fundvitit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)