Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është liruar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, pasi gjykatësi vlerësoi se vazhdimi i paraburgimit të tij për akuzat e pengimit të drejtësisë “nuk ishte as i arsyeshëm, as proporcional”.
Sipas Radios Evropa e Lirë, gjykatësi konstatoi se e drejta themelore e Kilajt për liri ka më shumë peshë sesa rreziku që ai mund të ndikojë në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një procedurë që tashmë po i afrohet përfundimit.
Kilaj, së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefin e AKI-së Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun, po përballet me akuza për pengim të drejtësisë në rastin gjyqësor ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Gjykimi ndaj tyre është caktuar të nisë më 24 shkurt.
Kilaj ishte arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar dhe që nga ajo kohë mbahej në paraburgim në Holandë. Në vendimin e fundit, gjykatësi theksoi se rrethanat kanë ndryshuar që nga rishikimi i fundit në tetor dhe se paraburgimi i Kilajt nuk është më i justifikuar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)