Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka habitur jo pak me propozimin që i bëri Bashkimit Europian nga tryeza e forumit "BELTALKS: Bisedimet Ekonomike të Beogradit" mbrëmjen e djeshme.
Sipas të parit të Beogradit vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen të gjitha në bllok, në BE dhe këtë propozim tha që do t’ia përcjell edhe në takime dypalëshe, shefes së KE-së, Ursula von der Leyen.
“Mendoj se pranimi i të gjitha vendeve kandidate nga Ballkani Perëndimor, të gjitha së bashku në anëtarësim të plotë, është ideja më e mirë. Nëse merrni një, dy ose tre, çfarë do të ndodhë me të tjerat. Si do t'i përballojmë problemet. Dhe e di që të gjithë kemi një qasje egoiste, por e ardhmja e rajonit, dhe akoma më e rëndësishmja, e ardhmja e Evropës, është në lojë. Kjo është e vetmja gjë që BE-ja mund të bëjë, të na pranojë të gjithëve së bashku, pa ndarje. Serbët do të ndihen më mirë, boshnjakët do të ndihen më mirë, shqiptarët do të ndihen më mirë, kroatët... do të jenë mirë”, tha Vuçiç, duke bërë që në sallë të shpërthenin jo pak të qeshura.
“Dëgjoj vetëm reagime të mira për këtë ide”, këmbënguli ai më tej, duke shtuar: “Do t’ia them këtë Antonio Kostës dhe Ursula von der Leyen”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)