Bie qeveria në Bullgari, kryeministri jep dorëheqjen pas protestave

Kryeministri bullgar, Rosen Zhelyazhkov njoftoi dorëheqjen e tij pak para votimit në Parlament për një mocion mosbesimi. Kjo ishte paraprirë nga javë të tëra protestash qytetare kundër qeverisë.

Burimi: AP

11.12.2025. 14:32

Bie qeveria në Bullgari, kryeministri jep dorëheqjen pas protestave

Protestat e "Gjeneratës Z" në Bullgari e kanë finalizuar objektivin e tyre, pasi kryeministri bullgar Rosen Zhelezkov njoftoi të enjten dorëheqjen e tij dhe rrjedhimisht rrëzimin e qeverisë.

Zhelezkov njoftoi dorëheqjen e tij në një fjalim televiziv disa minuta para një votimit të planifikuar në parlament për një mocion mosbesimi kundër qeverisë. Dorëheqja vjen pak para se Bullgaria t’i bashkohet Eurozonës më 1 janar.

“Ky është momenti i duhur për të dhënë dorëheqjen”, tha Zhelyaskov duke shprehur besimin se qeveria e tij do të merrte mbështetje në votimin e ardhshëm për mocionin e mosbesimit.

“Koalicioni ynë u takua, diskutuam situatën aktuale, sfidat me të cilat përballemi dhe vendimet që duhet të marrim me përgjegjësi. Dëshira jonë është të jemi në nivelin që pret shoqëria. Pushteti vjen nga zëri i popullit”, tha ai.

Ky zhvillim erdhi pas javësh protestash kundër politikave ekonomike të vendit dhe dështimit të qeverisë për të luftuar korrupsionin. Dhjetëra mijëra njerëz demonstruan në Sofje dhe qytete të tjera në të gjithë Bullgarinë edhe të dielën në mbrëmje, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë, e fundit në një seri demonstratash që kanë nxjerrë në pah pakënaqësinë publike për korrupsionin endemik dhe dështimin e qeverive të njëpasnjëshme për ta goditur atë.

Vala e pakënaqësisë filloi të shtohej në fund të nëntorit kur qeveria u përpoq të përshpejtonte miratimin e buxhetit të vitit 2026, ndërsa vendi më i varfër i BE-së përgatitet të miratojë euron më 1 janar. Para se të rrëzohej, qeveria bullgare tërhoqi projektbuxhetin e saj më 3 dhjetor, i cili përfshinte rritje të taksave dhe sigurimeve shoqërore. Rritjet ishin hartuar për të mbuluar përvetësimin e fondeve publike, sipas protestuesve dhe opozitës.

Një projektbuxhet i ri iu dorëzua parlamentit në fillim të kësaj jave.Pavarësisht lëshimit të qeverisë për planin e buxhetit, protestat mbetën të pandërprera në Bullgarinë, e cila ka mbajtur shtatë zgjedhje parlamentare në katër vitet e fundit, më të fundit në tetor 2024.

Vetë Presidenti Rumen Radev i kishte bërë thirrje qeverisë të jepte dorëheqjen më herët këtë javë. Në një postim në faqen e tij në Facebook sot duke iu drejtuar deputetëve, Radev tha se “midis zërit të popullit dhe frikës nga mafia duhet të dëgjoni sheshet!".

Radev, i cili ka kompetenca të kufizuara sipas Kushtetutës Bullgare, tani do t'u kërkojë partive në parlament të përpiqen të formojnë një qeveri të re dhe nëse ato nuk do ta finalizojnë procesin me sukses, ai do të formojë një qeveri të përkohshme derisa të thirren zgjedhje të reja.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)