Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur të vazhdojë edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Vendimi është nënshkruar nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, dhe është bërë i ditur nga mediat në Kosovë.
Thaçi, sëbashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat Prokuroria i lidh me periudhën e luftës së viteve 1998–1999. Gjykata ka vlerësuar se, sipas saj, ekzistojnë ende rrethana që justifikojnë vazhdimin e regjimit të paraburgimit.
Procesi gjyqësor ndodhet në muajt e fundit. Specialja ka shtuar edhe dy ditë të reja seancash, duke i bashkuar me ato të javës ndërmjet datës 9 dhe 13 shkurt 2026. Datat e reja, 16 dhe 18 shkurt, janë caktuar me qëllim që ekipet mbrojtëse të kenë mundësi të paraqesin argumentet e tyre përfundimtare pa kufizime kohore.
Në përputhje me praktikën e dy viteve të fundit, gjykata ka vendosur të mos zhvillojë seanca më 17 shkurt, datë që përkon me Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Kjo qasje ndryshon nga viti 2023, kur një seancë u planifikua pikërisht në këtë ditë, duke shkaktuar kritika të shumta në Kosovë.
Procesi në Hagë mbetet një prej temave më të ndjekura nga qytetarët dhe opinioni në Kosovë. Familjarë të të akuzuarve dhe figura politike vazhdojnë të kërkojnë shqyrtim të kushteve të paraburgimit dhe një ritëm më të shpejtë të procedurës. Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, pritet që Gjykata Speciale të publikojë një kalendar më të qartë për hapat e mbetur të procesit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)