Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Imri Demelezin në postin e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në një ndryshim në kabinet që vjen në më pak se 3 javë nga zgjedhjet e parakohshme.
Demelezin do të zerë vendin e Faton Pecit në krye të kësaj ministrie, i cili do të marrë në ditët në vijim detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Peci fitoi garën për Mitrovicën e Jugut në raundin e balotazhit, ku u përball me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri.
Që pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka pësuar disa ndryshime.
Pas muajsh bllokadë politike, në fund të gushtit deputetët konstituuan përbërjen e re parlamentare, duke i hapur rrugë formimit të ekzekutivit. Megjithatë, dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit dështuan që të siguronin 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.
Pas dështimit për formimin e Qeverisë së Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)