5 ditë debat, parlamenti grek miraton buxhetin për vitin e ri

Pas 5 ditësh debat, parlamenti grek miratoi buxhetin për vitin 2026. Qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis e cilëson këtë buxhet si një paketë stabiliteti ekonomik dhe mbështetjeje sociale.

Burimi: Kathimerini

16.12.2025. 22:51

5 ditë debat, parlamenti grek miraton buxhetin për vitin e ri

Parlamenti grek miratoi buxhetin e shtetit për vitin 2026 me 159 vota pro nga 295 ligjvënës të pranishëm, pas pesë ditësh debatesh të forta dhe përplasjesh të ashpra mes qeverisë dhe opozitës.

Buxheti u mbështet nga shumica qeverisëse dhe tre deputetë të pavarur, ndërsa u kundërshtua unanimisht nga partitë opozitare.

Qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis e paraqet buxhetin si një paketë stabiliteti ekonomik dhe mbështetjeje sociale, me ndërhyrje rreth 3 miliardë euro për rritjen e të ardhurave, në mënyrë që të kompensohen humbjet nga rritja e kostos së jetesës.

Sipas parashikimeve zyrtare, inflacioni pritet të ulet në 2,2%, ndërsa papunësia të bjerë në nivele të ngjashme me ato para krizës së vitit 2008.

Një prioritet kryesor i buxhetit është ulja e borxhit publik, i cili për herë të parë pritet të zbresë nën 140% të PBB-së, me objektivin për të rënë nën 120% deri në vitin 2029.

Investimet publike parashikohen të rriten me 10.2%, ndërsa programi i investimeve forcohet me 2 miliardë euro shtesë.

Buxheti përfshin gjithashtu masa për strehimin, mbështetje prej 160 milionë eurosh për fermerët dhe blegtorët, si dhe stimuj për familjet dhe të rinjtë. Opozita e cilësoi buxhetin të padrejtë dhe të shkëputur nga realiteti, ndërsa miratimi u shoqërua me protesta dhe greva të punonjësve dhe fermerëve në mbarë vendin.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)