Hapet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, Kurti mesazh BE-së për largimin e KFOR nga ura kryesore e Mitrovicës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përuroi sot urën e re për këmbësorë mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ai deklaroi se në çdo takim me ndërkombëtarët përsërit qëndrimin e tij që ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë përherë e hapur.
Ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe, 52 ditë nga nisja e punimeve është hapur zyrtarisht për qarkullimin e këmbësorëve. Përurimi u bë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, si dhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
Gjatë ceremonisë, kryeministri Kurti theksoi se qëndrimi i qeverisë së Kosovës mbetet i pandryshuar lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër, duke theksuar se ajo duhet të jetë e hapur në mënyrë të përhershme.
Foto: Facebook/Albin Kurti
“Në çdo takim me ndërkombëtarët e përsërisim qëndrimin tonë që ura mbi Ibër duhet të jetë përherë e hapur. Kemi gjithsej 77 ura mbi lumin Ibër; shumica janë në Kosovë, disa në Mal të Zi dhe Serbi, por e vetmja urë që ka persona të uniformuar mbi të gjatë gjithë kohës është ura kryesore mbi Ibër”, tha Kurti.
Ai shtoi se nuk sheh nevojë për praninë e vazhdueshme të pjesëtarëve të KFOR-it në urë, duke theksuar se çështjet e tilla duhet të zgjidhen përmes dialogut.
“Besoj që nuk ka nevojë që aty të jenë pjesëtarët e KFOR-it. Këtë çështje e zgjidhim me bashkëbisedim të hapur dhe dialog të sinqertë. Besoj se do të vijë edhe dita kur edhe ajo urë do të jetë e hapur. Urat nuk kanë përkatësi etnike. Urat mbi Ibër janë ura të Mitrovicës dhe të mitrovicasve, pa dallim”, u shpreh Kurti.
Foto: Facebook/Albin Kurti
Duke folur për rëndësinë e hapjes së urës së re për këmbësorë, Kurti theksoi se kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e mobilitetit dhe qarkullimit në qytet.
“Me këtë urë rritet qarkullimi dhe mobiliteti në Mitrovicë, një qytet kaq i rëndësishëm për republikën tonë. Falënderoj operatorin ekonomik, ushtruesin e detyrës së ministrit, Hysen Durmishin, kryetarin e ri Faton Pecin dhe të gjithë qytetarët e Mitrovicës që kanë kontribuar për të ardhur në këtë ditë të bukur”, tha ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin francez Emmanuel Macron me të cilin bisedoi tema të ndryshme nga siguria e kufijve tek rritja e kapaciteteve mbrojtëse.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin francez Emmanuel Macron me të cilin bisedoi tema të ndryshme nga siguria e kufijve tek rritja e kapaciteteve mbrojtëse.
Anëtarët e betuar përfaqësojnë partitë kryesore politike dhe komunitetet joshumicë, ndërsa për anëtarin e dhjetë, presidentja i është drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për sqarime ligjore.
Një stuhi e fuqishme ka goditur kryeqytetin kroat Zagreb, duke shkaktuar kaos në rrugë, dëme të mëdha materiale dhe të plagosur, ndërsa autoritetet kanë shpallur situatën si një nga më të rëndat e viteve të fundit.
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademit. Granit Plava, autori i vrasjes ka thënë se ka pasur marrëveshje me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, i cii i kishte premtuar se do ta nxirrte nga burgu pas dy vitesh, duke pretenduar se njeh njerëz me pushtet.
Komente (0)