Reshjet intensive të borës kanë krijuar një situatë të rënduar në disa pjesë të Serbisë, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në 11 komuna dhe qytete.
Zonat më të prekura janë rajoni i Zlatiborit, Moravës si edhe disa pjesë të Serbisë perëndimore, jugperëndimore dhe lindore.
Situata më problematike raportohet në komunën e Ivanjicës, e cila ka mbetur plotësisht pa energji elektrike që nga mbrëmja e së shtunës, pas një defekti në linjën e transmetimit.
Bora ka rënë pandërprerë për më shumë se 12 orë, duke shkaktuar dëme në rrjetin elektrik dhe vështirësi të mëdha në terren. Autoritetet bëjnë me dije se defekti është lokalizuar, por ende nuk ka një afat të saktë për rikthimin e energjisë.
Ndërkohë, shërbimet e emergjencës kanë kryer dhjetëra ndërhyrje që nga fillimi i motit të keq. Deri më tani janë evakuuar 37 persona, ndërsa në zonat e izoluara po shpërndahen ushqime, ilaçe dhe agregatë për furnizim të përkohshëm me energji elektrike.
Pavarësisht vështirësive, autoritetet vlerësojnë se situata në disa rajone është stabilizuar dhe theksojnë se mbeten në gatishmëri të plotë për çdo përkeqësim të mundshëm të kushteve atmosferike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)