Komisioni Evropian ka propozuar nisjen e negociatave me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i përfshirë në regjimin e Bashkimit Evropian “Roam Like at Home”, që u mundëson qytetarëve të përdorin telefoninë celulare në vendet e BE-së pa tarifa shtesë roaming-u për thirrje, SMS dhe internet.
Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se tarifat e roaming-ut mbeten problem për qytetarët e rajonit, veçanërisht për emigrantët dhe familjet e tyre, duke shtuar se faturat e larta gjatë udhëtimeve nuk janë më të pranueshme në BE. Sipas saj, propozimi synon ta zgjerojë këtë përfitim edhe për Ballkanin Perëndimor.
Për të vijuar procesin, kërkohet miratimi i Këshilli i Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave. Më pas, do të negociohen marrëveshje dypalëshe me secilin shtet të rajonit. Zbatimi do të varet nga përmbyllja e këtyre marrëveshjeve dhe harmonizimi me legjislacionin e BE-së.
Rregullorja “Roam Like at Home” është në fuqi që nga viti 2017 për vendet e BE-së dhe është zgjeruar edhe për Ukrainën dhe Moldavinë. Ende nuk ka afat konkret për përfshirjen e rajonit, pasi procesi konsiderohet i ndërlikuar dhe i varur nga gatishmëria e secilit shtet.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)