Familja e Shpat Kasapi kanë falenderuar sot publikisht drejtorin sportiv të Milanit, Igli Tare, pasi ka qenë personi kyç që bëri të mundur kthimin brenda pak ditësh të trupit të këngëtarit të ndjerë në Maqedoninë e Veriut.
Vëllait i Shpatit, Albin Kasapi përmes një deklarate shprehu mirënjohje të thellë për ndihmën e Tares në këto ditë të vështira për familjen e tyre.
Sipas Albin Kasapit, procedurat ligjore në Itali përfshirë analizat, obduksionin dhe dokumentacionin e nevojshëm zakonisht kërkojnë një kohë të gjatë. Por falë ndërhyrjes së Igli Tares, i cili u angazhua personalisht që procesi të përshpejtohej, trupi i të ndjerit u rikthye në vendlindje brenda vetëm katër ditësh.
Kjo ka bërë të mundur që Shpat Kasapit t’i jepej lamtumira e fundit nga familjarët, miqtë, kolegët e shumë dashamirës, në Tetovë, të dielën e 30 nëntorit.
“Këto janë ditë dhimbjeje të madhe për familjen tonë. Falënderojmë të gjithë ata që kanë qenë pranë nesh në këtë humbje të rëndë. Dua të shpreh falënderim publik për Igli Taren, bashkëkombasin tonë që bëri të pamundurën dhe ishte faktor kyç që trupi i Shpatit u kthye në kohë rekord në vendin tonë. Na është gjendur jashtëzakonisht shumë dhe e vlerësojmë pa masë këtë mbështetje”, u shpreh Albin Kasapi.
Shpat Kasapi ndërroi jetë më 25 nëntor në Bergamo të Italisë, si pasojë e një arresti kardiak. Ai ndërroi jetë në natën e mbërritjes së tij në Itali, ndërsa më pas trupi i tij u transferua në një spital të Milanos për procedurat përkatëse.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)