Mediat amerikane raportojnë se aktori i njohur Cary-Hiroyuki Tagawa, i famshëm për rolin e Shang Tsung në filmin “Mortal Kombat”, ka ndërruar jetë në Santa Barbara, Kaliforni. Sipas burimeve mediatike, vdekja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e komplikimeve nga një goditje në tru.
Raportimet thonë se Tagawa u nda nga jeta i rrethuar nga familjarët e tij. Tagawa arriti famë ndërkombëtare për interpretimin e magjistarit të errët Shang Tsung në filmat, serialet dhe lojërat “Mortal Kombat”, rol që e shndërroi në një figurë ikonike për fansat e aksionit dhe të arteve marciale.
Përveç “Mortal Kombat”, ai ka interpretuar në një sërë filmash dhe serialesh të njohur, përfshirë “The Last Emperor”, “Memoirs of a Geisha”, “The Man in the High Castle”, “Pearl Harbor”, “47 Ronin”, “Big Trouble in Little China”, “Planet of the Apes”, “Elektra” dhe shumë të tjerë, duke regjistruar gati 150 role gjatë karrierës së tij.
I trajnuar në Kendo dhe me formim të gjerë në artet marciale, Tagawa lindi në Japoni, por u zhvendos në Fort Bragg, Karolina e Veriut, në moshën 5-vjeçare. Në një intervistë të vitit 2010, ai kujtonte se ishte “mjaft e vështirë” të rriteshe si japonez në jugun amerikan të viteve ’50. Sipas raportimeve mediatike, Tagawa ishte 75 vjeç.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)