Në Spanjë darkën e konsumojnë zakonisht rreth orës 22:00, ndërsa në Angli rreth orës 18:00. Në Shqipëri shpesh zgjidhet një orar i ndërmjetëm, duke marrë parasysh nevojat e punës dhe familjes, në shumicën e rasteve darka shkon ndërmjet orës 20:00 dhe 21:00.
Megjithatë, ekspertët rekomandojnë që gjatë muajve të dimrit, darka të konsumohet më herët, pasi kjo sjell përfitime për shëndetin. Imunologët dhe profesionistët e fushës së nutricionit shpjegojnë se afrimi i orarit të darkës gjatë muajve të ftohtë, ndikon pozitivisht në shëndetin e zorrëve dhe në mirëqenien e përgjithshme.
“Gjatë dimrit, kur ditët janë më të shkurtra dhe organizmi është i predispozuar natyrshëm për pushim, ora biologjike sinjalizon: është koha për të ngadalësuar ritmin. Studimet tregojnë se të hash vonë, për shembull në orën 22:00, krahasuar me orën 18:00, rrit nivelin e sheqerit pas ushqimit dhe zvogëlon aftësinë për të djegur yndyrna”, shpjegojnë ekspertët.
Sipas tyre, metabolizmi i njeriut nuk funksionon njësoj gjatë 24 orëve. “Është si një zyrë: në mëngjes dhe drekë zyrat punojnë me kapacitet të plotë, hormonet si insulina menaxhojnë sheqerin dhe yndyrnat në mënyrë efikase. Në mbrëmje dhe natën zyrat mbyllen: organizmi përgatitet për gjumë, ndjeshmëria ndaj insulinës ulet dhe djegia e kalorive zvogëlohet.”
Prandaj, të hash darkë vonë gjatë dimrit nënkupton të detyrosh “personelin metabolik” të trupit punojë jashtë orarit. Darka më e hershme ndihmon në një tretje më të mirë dhe menaxhim më efektiv të energjisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)