Paraqitja para orarit në punë i është kthyer në arsye për ndëshkim një 22-vjeçareje spanjolle, e cila është shkarkuar nga punëdhënësi. Arsyeja e shkarkimit të 22-vjeçares është “sjellja e rëndë” pasi paraqitej vazhdimisht në punë 30–40 minuta përpara orarit të caktuar, pavarësisht paralajmërimeve të shumta nga punëdhënësi.
Punonjësja mbërrinte çdo ditë në zyrë mes orës 06:45 dhe 07:00 të mëngjesit, ndërkohë që kontrata parashikonte nisjen e turnit në 07:30. Kompania pohoi se ajo ishte udhëzuar disa herë të mos hynte në sistem dhe të mos niste punën para orarit zyrtar.
Çështja shkoi në gjykatë pas shkarkimit të 22-vjeçares dhe sipas dokumenteve të paraqitura, punonjësja kishte marrë paralajmërim zyrtar në vitin 2023, por vazhdoi rutinën e saj edhe pas qortimeve me shkrim e me gojë, duke regjistruar 19 hyrje të tjera të parakohshme.
Menaxheri i saj deklaroi se ardhjet e parakohshme nuk sillnin vlerë për kompaninë dhe madje “çrregullonin koordinimin e ekipit”. Sipas kompanisë, punonjësja madje përpiqej të identifikohej në aplikacionin e punës edhe para se të mbërrinte në zyrë.
Kompania ngriti edhe një akuzë të dytë ndaj 22-vjeçares, duke e akuzuar për shitjen e një makine të përdorur të firmës pa marrjen e lejes. Gjykata e cilësoi këtë si një tjetër tregues të “mospërfilljes dhe mosbesnikërisë”.
Gjykata e Alicante-s vendosi në favor të punëdhënësit. Në vendim u theksua se “teprimi me përpikmëri nuk ishte arsyeja e shkarkimit”, por shmangia e qartë e rregullave të vendit të punës, që përbën shkelje të rëndë sipas nenit 54 të Statutit të Punëtorëve të Spanjës.
Ekspertët e punësimit e kanë mbështetur vendimin, duke theksuar se kompanitë kanë të drejtë të vendosin rregulla strikte, për sa kohë ato janë të qarta dhe të komunikuara.
Rasti ka shkaktuar debat të gjerë online, ku shumë përdorues janë shprehur të habitur.
“Nëse vjen vonë, të qortojnë. Nëse vjen herët, prapë të qortojnë”, shkroi një komentues.
Një tjetër shtoi: “Kurrë s’kam dëgjuar dikë të humbasë punën ngaqë erdhi herët”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)