Pas teprimeve të festave të fundvitit, gjithnjë e më shumë njerëz zgjedhin një periudhë pa alkool. Të tjerë e adoptojnë këtë qasje, si një stil të ri jetese. Kjo është filozofia e “Dry January”, nisma që i kushton muajin e parë të vitit reduktimit ose heqjes dorë të plotë nga pijet alkoolike, me synimin për t’u ndier më të lehtë, më energjikë dhe më të vetëdijshëm për shëndetin.
“Dry January”, një trend në rritje
Janari ka qenë tradicionalisht muaji i vendimeve të mira. Ashtu si “Veganuary”, që promovon ushqimin vegan për katër javë, edhe “Dry January” po fiton gjithmonë e më tepër ndjekës. Qëllimi është të promovohet një qasje më e moderuar dhe e ndërgjegjshme ndaj alkoolit, duke e parë kufizimin jo si kompromis, por si një mundësi për të zbuluar shije të reja. Alternativat ndaj verës dhe pijeve të forta nuk mungojnë: tregu i pijeve pa alkool ofron kokteje kreative dhe të shijshme, bazuar në formula që synojnë ti japin konsumatorit më shumë kontroll dhe zgjedhje.
Bota e pijeve jo-alkoolike dhe ndryshimi i zakoneve
Në vitet e fundit, raporti me alkoolin po ndryshon. Kjo ka ndodhur kryesisht në Europë, edhe pse në mënyra të ndryshme, bazuar në shtete të caktuara. Gjithnjë e më shumë njerëz e nisin “Dry January” si një periudhë prove dhe më pas e kthejnë në zgjedhje afatgjatë. Këtë e konfirmon edhe rritja e vazhdueshme e tregut të pijeve jo-alkoolike apo atyre që kanë shumë pak alkool dhe njihen me emrin “No-Loë”. Dukuria vihet re veçanërisht mes të rinjve të Gjeneratës Z dhe Millennials. Për ta, alkooli nuk është më domosdoshmëri sociale, por vetëm një nga opsionet e mundshme. Kjo ka ndryshuar edhe ritualet sociale: aperitivi tradicional i pasditeve, po zëvendësohet nga takime më të qeta gjatë ditës. Ato ndodhin në kafene, evente kulturore apo “brunch”. Në qendër të menusë janë kafeja, frutat dhe pijet pa alkool.
Takimet romantike gjatë “Dry January”
Alkooli ka qenë prej kohësh një “aleat” që shërbente për të thyer akullin në takimet e para romantike. Ai vlerësohej se i ndihmonte njerëzit përballë ndrojtjes. Por si të sillemi kur kjo mbështetje mungon? Që të shmangen keqkuptime, duhet shprehur qartë qëndrimi prej fillimit. Nëse të dy nuk pini, zgjidhni një ambient pa alkool. Nëse vetëm njëri pi, mjafton të vendosen kufij të qartë. Një zgjidhje lidhet edhe me vendin e duhur për të dalë. Një shfaqje komike, kinema, librari, teatër, ekspozita arti apo bare me lojëra tavoline janë alternativa ideale. “Dry January” nuk është thjesht një muaj pa alkool, por reflektim i një ndryshimi më të gjerë kulturor, ku mirëqenia, vetëdija dhe cilësia e përvojave sociale po marrin përparësi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)