Milano ka festuar sot një rekord të ri botëror me shije çokollate. “Winter Games Express”, një model treni i gjatë 55.27 metra dhe me peshë 28 kuintalë, është shpallur zyrtarisht nga Guinness World Records si skulptura më e gjatë prej çokollate në botë.
Matjet u kryen në Piazza Città di Lombardia, në prani të autoriteteve lokale dhe të presidentit të Rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana.
Vepra është realizuar falë bashkëpunimit mes institucioneve dhe profesionistëve italianë dhe maltezë dhe përfaqëson shumë më tepër se një krijim artistik. Sipas drejtuesit të projektit, Andrew Farrugia nga Institute of Tourism Studies i Maltës, bëhet fjalë për një pune të jashtëzakonshme ekipore, ku janë përfshirë artizanë, studentë, shkolla dhe institucione.
Lokomotiva dhe vagonët janë riprodhuar me detaje mbresëlënëse, duke e shndërruar trenin në një simbol të bashkëpunimit ndërkombëtar, të dijes artizanale dhe të dialogut mes brezave.
Projekti është pjesë e Olimpiadave Kulturore Milano-Cortina 2026 dhe ka edhe një mision: të ardhurat nga shitja e çokollatave do t’u dhurohen organizatave bamirëse në Bergamo dhe Maltë.
Pas Milanos, Winter Games Express do të ekspozohet në aeroportin Orio al Serio dhe më pas në Brescia, duke e kthyer këtë rekord botëror në një udhëtim që bashkon artin, kulturën dhe solidaritetin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)