Një rast flagrant diskriminimi ndaj një punonjëseje ka përfunduar në gjykatë në Spanjë, pasi pronari i një biznesi në sektorin e hotelerisë e shkarkoi atë gjatë lejes së lindjes, duke falsifikuar mbylljen e aktivitetit.
Biznesi, sipas vendimit gjyqësor, u rihap disa muaj më vonë me të njëjtin emër tregtar, të njëjtët punonjës dhe të njëjtën subjektivitet fiskal, por pa punonjësen që kishte qenë në leje lindjeje.
Punonjësja kishte njoftuar kompaninë për shtatzëninë në muajin shkurt, ndërsa më 3 tetor 2024 kishte nisur zyrtarisht lejen e lindjes. Vetëm pak javë më pas, më 31 tetor 2024, ajo mori një letër shkarkimi, me justifikimin e “ndërprerjes së aktivitetit”, vendim që formalisht prekte të gjithë stafin dhe shoqërohej edhe me anulimin e kontratës së qirasë.
Por në mars të vitit 2025, kompania rifilloi aktivitetin në një ambient të ri, duke ruajtur të njëjtin emër, uniformat dhe stafin e mëparshëm. E vetmja që nuk u rikthye ishte punonjësja që kishte qenë në leje materniteti.
Gjykata e cilësoi shkarkimin të pavlefshëm, për shkak të shkeljes së të drejtave, duke urdhëruar rikthimin e saj në punë dhe dëmshpërblimin me 7.501 euro. Sipas trupit gjykues, “shkarkimi i vetëm real ishte ai i një punonjëseje që gëzonte të drejta të lidhura drejtpërdrejt me maternitetin, ndërsa mbyllja e biznesit rezultoi një veprim mashtrues”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)