Gjendet "thesari" i fosilizuar, zbulohen kafshë të panjohura që jetuan 500 mln vite më parë në Tokë

Ky "thesar" hedh dritë të vlefshme mbi një episod misterioz në historinë e planetit tonë, pasi këto kafshë mbijetuan një periudhë në të cilën evolucioni i jetës u ndërpre dhunshëm.

29.01.2026. 15:16

Gjendet "thesari" i fosilizuar, zbulohen kafshë të panjohura që jetuan 500 mln vite më parë në Tokë

Gati njëqind lloje kafshësh të lashta, të panjohura më parë, që i mbijetuan një zhdukjeje masive 500 milionë vjet më parë, janë gjetur në një gurore në Kinë.

Studiuesit e kanë përshkruar thesarin në Provincën Hunan, në Kinën jugore, si një zbulim mahnitës. "Ne mblodhëm më shumë se 50,000 fosile nga një gurore e vogël, 12 metra e lartë, 30 metra e gjerë dhe 8 metra e gjatë", shpjegoi për AFP, Han Zhang nga Akademia Kineze e Shkencave.

Autori kryesor i artikullit të botuar sot në revistën shkencore Nature tha se në këtë hendek të vogël, nga viti 2021 deri në vitin 2024, studiuesit identifikuan 153 lloje kafshësh të fosilizuara, 91 prej të cilave ishin të panjohura më parë.

Ky "thesar" hedh dritë të vlefshme mbi një episod misterioz në historinë e planetit tonë, pasi këto kafshë mbijetuan një periudhë në të cilën evolucioni i jetës u ndërpre dhunshëm.

Han përshkroi një përvojë të mahnitshme kur kuptuam se këto kafshë ishin atje, mbi shkëmb. “Shumë nga fosilet përfshinin inde të buta, të tilla si gushë, zorrë, sy dhe madje edhe nerva”, shpjegoi ai.

Midis specieve të zbuluara ka paraardhës të largët të krimbave, sfungjerëve, koraleve dhe kandila deti. U gjetën gjithashtu shumë artropodë, një familje që përfshin gjithçka, nga gaforret moderne te insekte- duke përfshirë radiodontët, krijesa me gjemba me sy të çuditshëm që ishin grabitqarët kryesorë të kohës.

Jeta u shfaq në Tokë 3.5 miliardë vjet më parë, por për një kohë të gjatë ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një shtresë balte. Dhe pastaj erdhi periudha Kambriane, e njohur për shpërthimin e madh të evolucionit, rreth 540 milionë vjet më parë. Papritmas, familjet kryesore të kafshëve që njohim sot u shfaqën dhe filluan të kolonizonin oqeanet, midis tyre vertebrorët, me të cilët njerëzit do të bëheshin më vonë të afërm.

Ky shpërthim i jetës përfundoi me dhunë kur pothuajse gjysma e të gjitha atyre kafshëve të reja u zhdukën 513 milionë vjet më parë. Shkencëtarët besojnë se kjo zhdukje masive, e konsideruar si “Ngjarja Shinsk”, u shkaktua nga një rënie e nivelit të oksigjenit në Tokë.

Kafshët e gjetura në guroren kineze janë rreth 512 milionë vjeç, duke i bërë ato zbulimin e parë masiv të fosileve të krijesave që jetuan menjëherë pas zhdukjes së papritur.

Fosilet, të quajtura “bioma Huayuan”, sipas zonës ku u gjetën, hapin një dritare për atë që mund të ketë ndodhur.

Michael Lee, një biolog evolucionar në Muzeun e Australisë Jugore i cili nuk ishte i përfshirë në kërkim, tha se fosilet e reja të gjetura në Kinë tregojnë se Ngjarja Shinsk pati një ndikim më të madh në ujërat më të cekëta.

“Oqeani i thellë është një nga habitatet më të qëndrueshme, gjatë gjithë kohës gjeologjike, në të njëjtën mënyrë që bodrumi i një shtëpie nuk ndikohet aq shumë nga ndryshimet sezonale dhe temperatura e tij nuk luhatet aq shumë”, tha ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)