Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar një raport që thekson se një pjesë e konsiderueshme e diagnozave të kancerit lidhen me faktorë rreziku të parandalueshëm. Studimi ndërkombëtar, i koordinuar nga OBSH dhe i botuar në revistën shkencore Nature Medicine, vlerëson se rreth 40% e rasteve të reja të kancerit në botë kanë lidhje me shkaqe që mund të shmangen.
Sipas të dhënave, në vitin 2022 u regjistruan rreth 20 milionë raste të reja me kancer, nga të cilat 7.1 milionë u atribuuan faktorëve të modifikueshëm. Duhani renditet si shkaktari kryesor i rasteve të evitueshme, duke përbërë 15.1% të tyre. Pas tij vijnë infeksionet, që llogariten për 10% të diagnozave të parandalueshme. Raporti identifikon gjithashtu rreziqe të tjera të rëndësishme, si konsumimi i alkoolit, ndotja e ajrit dhe ekspozimi ndaj rrezatimit ultravjollcë.
Ndikimi i këtyre faktorëve ndryshon sipas gjinisë. Tek meshkujt, pesha e kancerit të lidhur me rreziqe të modifikueshme arrin në 45% të rasteve të reja, ndërsa te femrat në 30%. Në popullatën mashkullore, duhani përfaqëson rreth 23% të diagnozave, ndërsa tek femrat rolin më të madh e luajnë infeksionet (11%), duhani (6%) dhe mbipesha (3%).
Raporti nënvizon se tre lloje tumoresh, kanceri i mushkërive, i stomakut dhe ai i qafës së mitrës, përbëjnë gati gjysmën e rasteve të parandalueshme në shkallë globale. Kanceri i mushkërive lidhet kryesisht me duhanpirjen dhe ndotjen e ajrit. Ai i stomakut shoqërohet me infeksionin nga Helicobacter pylori, ndërsa kanceri i qafës së mitrës me virusin e papilomës humane.
Ekspertët theksojnë se zgjerimi i listës së faktorëve të rrezikut dhe kuptimi i ndikimit të tyre në vende e grupe të ndryshme shoqërore ndihmon në hartimin e politikave më efektive të parandalimit dhe ndërgjegjësimit publik.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)