BE përfshin Kosovën në listën e vendeve të sigurta për azilkërkueesit

Azilkërkuesit nga Kosova do ta kenë tanimë më të vështirë qëndrimin në vendet anëtare të BE-së, pasi cilësohen nga Këshilli i Bashkimit Europian si të ardhur nga një vend i sigurtë i origjinës.

08.12.2025. 18:15 >> 18:16

BE përfshin Kosovën në listën e vendeve të sigurta për azilkërkueesit

Këshilli i Bashkimit Evropian e ka përfshirë Kosovën në listën e vendeve të sigurta të origjinës, hap që synon përshpejtimin e procedurave të kthimit të migrantëve dhe vështirësimin e marrjes së azilit për qytetarët nga këto vende. Në listë, përveç Kosovës, janë shtuar edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.

Sipas Këshillit, këto ligje të reja pritet të forcojnë zbatimin e koncepteve kyçe në politikat e azilit të BE-së dhe të mundësojnë procedura më të shpejta për rastet që nuk kanë nevojë për mbrojtje. Ministri danez për Imigracionin, Rasmus Stoklund, e quajti vendimin “moment të rëndësishëm për politikën e azilit të BE-së”.

Përfshirja në këtë listë nënkupton se aplikimet për azil nga shtetasit e Kosovës mund të refuzohen më shpejt dhe të pasohen me urdhër-kthim, pasi vendi konsiderohet i sigurt dhe pa rrezik të përndjekjes. Numri i azilkërkuesve nga Kosova është rritur pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024, me Francën që mbetet destinacioni kryesor.

Tani, Këshilli duhet të arrijë marrëveshje me Parlamentin Evropian për tekstin final të dy akteve ligjore. Sipas rregullores së procedurës së azilit 2024, aplikantët nga vendet e sigurta të origjinës i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara, përfshirë ato në kufi ose në zonat e tranzitit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)