Shorti i grupeve të Botërorit 2026: rregullat dhe mënyra si funksionon ndarja

Sot prej orës 18:00 në Uashington, skuadrat pjesëmarrëse do të mësojnë kundërshtarët. Edhe Shqipëria me sytë nga goglat, pavarësisht se kualifikimi kalon nga ndeshjet “play-off”.

05.12.2025. 14:02

Shorti i grupeve të Botërorit 2026: rregullat dhe mënyra si funksionon ndarja

Gjithçka është gati për shortin e Botërorit 2026, i cili do të hidhet sot, e premte 5 dhjetor 2025, në orën 18:00, në Uashington D.C. Shtetet e Bashkuara janë një nga tre vendet pritëse së bashku me Kanadanë dhe Meksikën.

Për herë të parë në histori, Kupa e Botës do të ketë 48 ekipe, të ndara në 12 grupe me nga 4 skuadra. Aktualisht janë të konfirmuara 42 kombëtare, ndërsa 6 skuadrat e fundit do të përcaktohen pas “play-off” të UEFA-s (ku përfshihet edhe Shqipëria) dhe sfidave “play-off” ndërkontinentale. Për këtë arsye, jo të gjitha grupet do të jenë plotësisht të kompletuara pas shortit të sotëm.

SI FUNKSIONON SHORTI

Ndarja e ekipeve në vazo bëhet sipas renditjes së FIFA-s, përveç dy rasteve të veçanta:

- SHBA, Kanadaja dhe Meksika, si vende organizatore, vendosen automatikisht në vazon e parë, pavarësisht renditjes së tyre.

- 6 fituesit e playoff-eve do të vendosen të gjithë në vazon e katërt, pa marrë parasysh pozicionin në FIFA.

- Tre kombëtaret pritëse kanë tashmë grupet e tyre të caktuara:

Meksika → Grupi A       Kanadaja → Grupi B    SHBA → Grupi D

- Sipas rregullave të FIFA-s, asnjë grup nuk mund të ketë dy skuadra nga e njëjta konfederatë, përveç UEFA-s, e cila ka 16 ekipe në këtë Botëror. Për këtë arsye, 4 grupe do të përfshijnë dy Kombëtare europiane.

- Në rast se kualifikohet, Shqipëria do të vendoset automatikisht në vazon e katërt, për shkak të pjesëmarrjes në “play-off”.

SHORTI DHE RRUGA DREJT FINALES

FIFA ka aplikuar një sistem të ri për të balancuar më mirë turneun dhe për të shmangur përplasjet e hershme mes ekipeve më të forta sipas renditjes botërore. Ky sistem përcakton se: Spanja, e para në renditjen botërore, do të vendoset në një rrugë të kundërt nga Anglia, që mban vendin e dytë. Edhe Franca e vendit të tretë e Argentina e vendit të katërt nuk mund të ndeshen para finales. Objektivi është që fazat e fundit të garës të prodhojnë përballje të nivelit më të lartë mes ekipeve kryesore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)