Policia e Tiranës ka njoftuar masat e sigurisë që do të zbatohen për të mbarëvajtur rendin për derbin e kryeqytetit, që do të luhet sot në mbrëmje. Tirana dhe Partizani do të zbresin në fushën e “Air Albania” në orën 18:00 dhe autoritetet kanë vendosur kufizime të qarkullimit, itinerare të ndara për tifozët dhe kontrolle të shtuara në hyrje të stadiumit.
Nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit do të bllokohet lëvizja për mjetet në sheshin “Nënë Tereza”, rrugët “Lekë Dukagjini” dhe “Dervish Hima”, si dhe në zonat përreth stadiumit “Air Albania”.
Policia bën me dije se tifozët e Tiranës do të lëvizin nga “Teatri i Kukullave”, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me kthim tek ETC, më pas në rrugën “Papa Gjon Pali II” drejt hyrjeve të stadiumit.
Ndërkohë, tifozët e Partizanit do të ndjekin itinerarin: kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” – ura “Vasil Shanto” – kryqëzimi i rrugës “Komuna e Parisit” – rruga “Sulejman Delvina” – zona e Librit Universitar – Presidenca – hyrjet e stadiumit.
Policia thekson se nuk do të lejohet devijimi apo grumbullimi i tifozëve jashtë rrugëkalimeve të caktuara. Në zbatim të planit të masave, para hyrjes në stadium do të kryhen kontrolle të imtësishme për sende të kundërligjshme, si sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë dhe piroteknikë dhe çdo tifoz duhet të ketë me vete dokument identifikimi.
Po ashtu, fëmijët nën 16 vjeç do të pranohen vetëm në prani të një prindi ose kujdestari ligjor të pajisur me dokumente. Në stadium nuk do të lejohen tifozë të identifikuar më herët nga policia si problematikë në aktivitete sportive.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)