Një gjykatë në Korenë e Jugut ka dënuar me katër vjet burg një vajzë, e cila kishte shantazhuar yllin vendas të futbollit, Son Heung-min.
Vajza, në të 20-at, dhe bashkëpunëtori i saj, një burrë në të 40-at, u shpallën fajtorë për shantazh ndaj ish-kapitenit të Tottenham duke pretenduar se ajo ishte shtatzënë dhe mbante fëmijën e tij.
Vajza në fjalë i ishte afruar Son-it vitin e kaluar duke pretenduar se mbante fëmijën e tij, ndonëse ajo nuk e dinte nëse kjo ishte e vërtetë.
Ajo kishte marrë 300 milionë von (200,000 dollarë) nga futbollisti dhe e kishte kërcënuar se do ta bënte publik pretendimin nëse ai nuk pranonte të paguante më shumë para. Vajza i kishte shpenzuar paratë për mallra luksoze dhe marka të shtrenjta.
“Vajza këmbëngul se i mori paratë si kompensim dhe e paraqet veten si viktimë”, thanë prokurorët në gjykatën e Seulit të hënën. “Por pretendimet e saj nuk përputhen plotësisht me faktet”, shtuan ata, duke e akuzuar për planifikim të hollësishëm të krimit.
Bashkëpunëtori i gruas, i cili e kishte kërcënuar futbollistin plot 15 herë për të marrë paratë, u dënua me dy vite burg për shantazh.
Hetimet për rastin nisën gjatë këtij viti, kur çifti i bashkëpunëtorëve kërkuan më shumë para nga ish-ylli i Premier League dhe Son i denoncoi në polici.
Gjykatësi tha se gruaja dhe bashkëpunëtori i saj kishin abuzuar me famën e Son për të kryer krimin, dhe se futbollisti kishte kaluar “ankth të madh” pasi rasti u raportua në media.
Në gusht, Son, tashmë 33-vjeçar u largua nga Tottenham pas 10 vitesh për t’iu bashkuar Los Angeles Football Club, duke shënuar transferimin më të shtrenjtë në historinë e MLS. Në tetor, Son u rendit si lojtari i dytë më i paguar në Major League Soçer (MLS), liga elitare e futbollit në Amerikën e Veriut, e ngjashme me Premier League në Angli.
I konsideruar gjerësisht si një nga futbollistët më të mirë aziatikë, Son gëzon popullaritet të madh në vendin e tij dhe në rajon.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)