Ndizen polemikat për Kupën e Botës, Egjipti dhe Irani duhet të përballen në “ndeshjen e krenarisë” për nder të LGBTQ+

Seattle po përgatitet të ndezë jo vetëm dritat e stadiumit, por edhe një debat global që ka shpërthyer shumë përpara se topi të luhet. “Ndeshja e Krenarisë” e Kupës së Botës 2026, një event i menduar si festim i komunitetit LGBTQ+, ka krijuar një përplasje pasi në fushë do të zbresin Egjipt-Iran.

08.12.2025. 21:40 >> 22:06

Ndizen polemikat për Kupën e Botës, Egjipti dhe Irani duhet të përballen në “ndeshjen e krenarisë” për nder të LGBTQ+

Stadiumi “Lumen Field” në Seattle të SHBA-ve do të jetë skena e asaj që tashmë konsiderohet si ndeshja më e diskutueshme e Kupës së Botës FIFA 2026.

Më 26 qershor, stadiumi do të presë të ashtuquajturën “Ndeshja e Krenarisë” për nder të komunitetit LGBTQ+, një event i planifikuar si festim i komunitetit, por ajo çka ka ndezur debat është fakti se goglat kanë rezervuar që në fushë të përballen dy kombëtare nga dy vende myslimane ku homoseksualiteti është i paligjshëm ose i ndëshkueshëm rëndë, si Egjipti dhe Irani.

Në Egjipt, megjithëse të qenit homoseksual nuk është shprehimisht i paligjshëm, shfaqja publike e çdo aktiviteti homoseksual ose queer është subjekt i dënimeve të rënda përmes ligjeve të "moralit publik" dhe "shthurjes". Në Iran, marrëdhëniet e të njëjtit seks janë shprehimisht të ndaluara dhe mund të ndëshkohen me rrahje me kamzhik, burgim ose dënim me vdekje.

Seattle, një prej qyteteve më miqësore ndaj komunitetit LGBTQ+ në SHBA dhe me kulturë të fortë futbolli, do të organizojë gjashtë ndeshje të Botërorit. Komiteti lokal ka konfirmuar se eventi nuk do të ndryshojë pavarësisht debatit, duke theksuar se futbolli ka fuqinë të bashkojë njerëzit “përtej kufijve dhe besimeve”.

Eric Wahl, vëllai i gazetarit të ndjerë Grant Wahl, e ka përshëndetur rastësinë e ndeshjes, duke thënë se Seattle është vend ku “të gjithë mund të jenë ata që janë”.

Ky zhvillim vjen pas polemikave të ngjashme në Kupën e Botës 2022 në Katar, ku FIFA ndaloi shiritat “OneLove” me ngjyrat e ylberit, duke kërcënuar lojtarët me sanksione sportive.

Pavarësisht debatit të madh që ka shkaktuar, Seattle mbetet e vendosur: më 26 qershor, “Ndeshja e Krenarisë” do të zhvillohet sipas planit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)