Interi bie në fund ndaj Liverpool-it, Barcelona përmbys Eintracht Frankfurt-in

Liverpool fiton me penallti në minutën e 88-të ndaj Interit, ndërsa Barcelona përmbys Eintracht Frankfurtin në një natë dramatike në Champions.

09.12.2025. 23:14

Interi bie në fund ndaj Liverpool-it, Barcelona përmbys Eintracht Frankfurt-in

Liverpool dhe Barcelona arritën të marrim pikët tw arta në fazën e ligës së Champions League, në një mbrëmje plot tension, përmbysje dhe gola vendimtarë. 

Në Milano, Liverpool arriti një triumf 1-0 ndaj Interit falë një penalltie të realizuar në minutën e 88-të nga Dominik Szoboszlai. Skuadra e Arne Slot shkoi në Itali pa Mohamed Salah, i cili u përjashtua nga ekipi pas deklaratave të forta pas ndeshjes me Leeds. Megjithatë, lojtarët e Liverpoolit u përpoqën të lënë pas zhurmën jashtë fushe dhe ushtruan presion që në minutat e para, me Curtis Jones që testoi Yann Sommer, ndërsa Konaté pati një gol të anuluar pas ndërhyrjes së VAR. 

Inter rrezikoi me Lautaro Martínez në fund të 45 minutave të para, por pjesa e dytë ishte e varfër në raste. Kur dukej se ndeshja do të mbyllej pa gola, një prekje e lehtë e fanellës nga Bastoni ndaj Florian Wirtz u konsiderua penallti. Szoboszlai shënoi, duke i dhënë Liverpoolit fitoren e dytë në shtatë ndeshjet e fundit dhe duke i barazuar me pikë zikaltërit, të cilët regjistruan humbjen e dytë radhazi në Champions. 

Ndërkohë, në “Estadi Olímpic”, Barcelona arriti më në fund fitoren e parë në histori ndaj Eintracht Frankfurt, duke përmbysur disavantazhin dhe duke fituar 2-1. Edhe pse Barcelona nisi fort dhe iu anulua një gol Lewandowskit, Frankfurt goditi i pari në minutën e 21-të me Ansgar Knauff. Gjermanët rrezikuan edhe para pushimit, por pjesa e dytë solli një ndryshim total të lojës. 

Marcus Rashford, i futur në lojë, ndryshoi krejt ritmin e ndeshjes. Ai dhuroi një asist perfekt për Jules Kounde, i cili barazoi me kokë, dhe vetëm dy minuta më pas mbrojtësi francez shënoi sërish për 2-1, duke përmbysur rezultatin në vetëm 120 sekonda. Barcelona menaxhoi lojën deri në fund dhe Frankfurt nuk arriti të reagojë. 

Kjo natë vulosi dy rezultate të rëndësishme: Liverpool merr frymë në garën e grupit, ndërsa Barcelona vazhdon serinë pozitive, duke shënuar sërish pjesën më të madhe të golave pas pushimit. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)