Man. City përmbys Realin, Mourinho gjunjëzon Napolin

Champions League/ Arsenali shëtit, dominon fazën e grupit dhe blindon “Top 8”, Juventusi fiton dhe ngjitet në kuotën e 9 pikëve. Frenohen PSG dhe Dortmund.

10.12.2025. 23:50

Man. City përmbys Realin, Mourinho gjunjëzon Napolin

Manchester City fitoi 2-1 supersfidën e xhiros së gjashtë të Champions League, përballë Realit të Madridit. Disfata e pësuar në Bernabeu ka bërë që te madrilenët të thellohet krisjea me trajnerin Xabi Alonso. Me shumë mungesa në skuadër dhe pa Mbappé, spanjollët nuk e mbrojtën dot epërsinë pas golit të Rodrygo në minutën e 27-të.

Manchester City barazoi falë një gabimi të Courtois dhe kaloi në avantazh me një penallti të realizuar nga Haaland në minutën e 43-të. Me këtë humbje, Real Madrid mbetet me 12 pikë, duke u renditur pas Atalantës dhe Interit në fazën e grupit të përbashkët të Champions.

Arsenali vazhdon marshimin perfekt, duke arritur fitoren e gjashtë në gjashtë ndeshje të luajtura. “Topçinjtë” mposhtën Bruges-in me shifrat 3-0 dhe konsoliduan kreun me 18 pikë të plota, duke lënë pas Bayernin me 3 pikë diferencë.

Pavarësisht mungesave të mëdha në mbrojtje, si edhe me Gabriel e Saliba të lënduar, Arteta gjeti formulën e duhur për të dominuar ndeshjen. Dy gola nga Madueke dhe rrjeta e Martinellit i dhanë suksesin Arsenalit.

Fitore 2-0 regjistroi Juventusi përballë modestëve të Pafos. Golat e McKennie dhe David në pjesën e dytë, zgjidhën një ndeshje mjaft të komplikuar për bardhezinjtë. Me këtë rezultat, skuadra e drejtuar nga Spalletti ngjitet në kuotën e 9 pikëve dhe merr frymë lirisht.

Zhgënjeu Napoli, që u mposht 2-0 në fushën e Benfica-s së drejtuar nga Jose Mourinho. Rrjetat e Richard Rios e Leandro Barreiro i dhanë fitoren portugezëve. Për Napolin e Antonio Conte, kjo disfatë e komplikon shumë edhe rrugën drejt fazës “play-off”.

Në takimet e tjera, PSG dhe Borussia Dortmund u ndalën në barazime, përkatësisht kundër Athletic Bilbao (0-0) dhe Bodo/Glimt (2-2). Në barazim 2-2 përfundoi edhe ndeshja ndërmjet Leverkusen dhe Newcastle.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)