Napoli i Antonio Contes nuk e shfrytëzoi barazimin e Milanit dhe humbi një mundësi të artë për t’u shkëputur në krye të Serie A, pasi u mposht minimalisht 1-0 nga Udinese në stadiumin Bluenergy.
Të Kaltërit u dorëzuan pa kushte në një ndeshje ku vendasit treguan më shumë dëshirë dhe organizim gjatë gjithë takimit, e madje ju analuan edhe dy gola.
Pjesa e parë u karakterizua nga ekuilibri dhe mungesa e rasteve të pastra, me të dyja skuadrat që u neutralizuan në mesfushë. Napoli zhgënjeu veçanërisht në aspektin ofensiv, duke mos regjistruar asnjë goditje në portë në 45 minutat e para. Rasti më i mirë i pjesës së parë erdhi për Udinesen, kur Jurgen Ekkelenkamp testoi portierin Vanja Milinković-Savić me një goditje nga distanca.
Spektakli u rrit në pjesën e dytë, ku Udinese pati dy gola të anuluar nga VAR-i për pozicion jashtë loje dhe faull në ndërtimin e aksionit. Pavarësisht vendimeve kontroverse, vendasit nuk u dorëzuan dhe vazhduan të sulmonin ndaj një Napoli të zbehtë. Përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 73-të, kur Ekkelenkamp realizoi një supergol nga mbi 20 metra, duke dërguar topin në cepin e sipërm të portës.
Napoli tentoi të reagojë në minutat e fundit, por rastet e krijuara nuk u shfrytëzuan, ndërsa Udinese ishte pranë golit të dytë në shtesë, me Lorenzo Lucca që goditi shtyllën.
Me këtë fitore, Udinese ngjitet në vendin e 10-të në renditje dhe fiton besim për vazhdimësinë e sezonit. Napoli mbetet në vendin e dytë dhe tani do të zhvendosë fokusin te gjysmëfinalja e Superkupës së Italisë ndaj Milanit, që do të zhvillohet në Arabinë Saudite.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)