Tirana dhe Vllaznia kanë ndarë nga një pikë në klasiken e futbollit shqiptar, duke barazuar 1-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të të Superiores, e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Takimi nisi mjaft mirë për bardheblutë, të cilët kaluan shpejt në avantazh. Në minutën e 5-të, Rafa Freitas realizoi nga pika e penalltisë, duke zhbllokuar rezultatin për Tiranën. Reagimi i shkodranëve nuk vonoi dhe në minutën e 26-të, Bekim Balaj barazoi shifrat, gjithashtu nga 11-metërshi.
Në fundin e pjesës së parë, Vllaznia pati një mundësi të artë për të përmbysur rezultatin, por Balaj gaboi penalltinë e dytë personale, duke e mbajtur rezultatin të pandryshuar. Edhe pjesa e dytë ofroi raste për të dyja skuadrat, por mungoi finalizimi.
Ky barazim nuk i shërben asnjërës skuadër, të cilat po kalojnë një moment të vështirë në kampionat. Tirana vijon të mbajë vendin e fundit në renditje me 9 pikë, ndërsa Vllaznia shkon në gjashtë ndeshje radhazi pa fitore.
Në ndeshjen tjetër të së shtunës në Superiore, Bylis triumfoi në një përballje spektakolare, duke mposhtur Elbasanin me rezultatin 3-2.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)