Egjipti dhe Nigeria festuan kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Afrikës. “Faraonët” siguruan vazhdimin e rrugëtimit, pasi mposhtën Beninin me rezultatin 3-1 vetëm në kohën shtesë. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, ku avantazhit të egjiptianëve me Ateya në minutën e 69-të, Benini iu përgjigj në të 83-ën me Dossou.
Në shtesë, Egjipti bëri diferencën: Yasser Ibrahim shënoi në minutën e 97-të, ndërsa Mohamed Salah vulosi fitoren me golin e tretë në minutën e 124-t. Në anën tjetër, gjithçka ishte e lehtë për Nigerinë, e cila dominoi Mozambikun.
“Super Shqiponjat” fituan me rezultatin e pastër 4-0, të udhëhequr nga yjet e repartit ofensiv. Ademola Lookman hapi serinë e golave në minutën e 20-të të pjesës së parë, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë Victor Osimhen dyfishoi shifrat. Në pjesën e dytë, Lookman u shndërrua në asistues, duke i shërbyer fillimisht Osimhen-it dhe më pas Akor Adams-it, për dy golat që mbyllën përfundimisht ndeshjen.
Me këtë fitore, Nigeria kalon në çerekfinale, ku do të përballet me fituesen e sfidës mes Algjerisë dhe Republikës Demokratike të Kongos, që do të luhet këtë të martë në orën 17:00.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)