“Play-off” i Champions: Inter mund të gjejë Mourinho, Juve rrezikohet nga Osimhen

Pas përfundimit të fazës së grupeve, përcaktohen alternativat për çiftet e mundshme që do të luajnë për një vend në 1/8.

29.01.2026. 09:19

“Play-off” i Champions: Inter mund të gjejë Mourinho, Juve rrezikohet nga Osimhen

Pas 90 minutave të fundit dramatike të ndeshjeve në grupin e përbashkët të Champions League, u dhanë verdiktet e para. Interi, Juventusi dhe Atalanta siguruan kualifikimin në “play-off”, ndërsa Napoli i dha lamtumirën turneut pas humbjes ndaj Chelsea.

Të tre skuadrat italiane të kualifikuara do të luajnë ndeshjet e kthimit në shtëpi. Ndërkohë, plot pesë skuadra angleze kaluan direkt në fazën e 1/8-ave: Arsenali pas ecurisë perfekte me 8 fitore në 8 ndeshje, Liverpool, Tottenham, Chelsea dhe Manchester City u kualifikuan përkrah Bayern, Barcelonës dhe Sportingut.

Fitorja në fushën e Dortmundit i dha Interit aksesin në “play-off” si kokë serie. Zikaltrit do ta luajnë ndeshjen e parë jashtë fushe, në Norvegji kundër Bodø/Glimt ose në Lisbonë përballë Benficës së ish-trajnerit Mourinho. Një prej këtyre do skuadrave do të jetë kundërshtar i Realit. Nëse kualifikohet në 1/8-at, Interi do të sfidojë Manchester City ose Sportingun e Lisbonës.

Barazimi në transfertë kundër Monaco e pozicionoi Juventusin në vendin e 13-të. Bardhezinjtë do të luajnë “play-off” si kokë serie kundër Galatasaray ose Club Brugge. Nëse kalon më tej, Juventusi do të përballet në 1/8-at me Liverpool ose Tottenham.

Atalanta humbi mundësinë për tu kualifikuar direkt pas dy humbjeve të fundit dhe tani do të ndeshet për një vend në 1/8-at kundër Borussia Dortmund ose Olympiacos. Në rast kualifikimi, skuadra e Palladinos do të përballet me Bayernin ose Arsenalin.

Sfidat “play-off” do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, me fituesit që do të kualifikohen mes 16 ekipeve më të mira të kompeticionit. Duke filluar nga kjo fazë, Champions League ka një tabelë eliminimi në stil tenisi deri në finale. Shorti zyrtar për përcaktimin e çifteve do të hidhet të premten më 30 janar, në selinë e UEFA-s në Nyon.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)