Surprizat kanë vijuar edhe në ditën e dytë të ndeshjeve “play-off” të Champions League. Befasia më e madhe u regjistrua në Norvegji, mes kushteve thuajse ekstreme të motit dhe me ndeshjen që rrezikoi deri në fund të mos luhej. Bodo/Glimt regjistroi fitore madhështore 3-1 kundër Interit dhe ëndërron kualifikimin në fazën e 1/8.
Avantazhit të vendasve me Fet, zikaltërit iu përgjigjën me Esposito në pjesën e parë. Por, kaq nuk mjaftoi, pasi italianët kapitulluan në harkun e tre minutave. Hauge në të 61-ën dhe Hogh në të 64-ën vulosën një tjetër sukses të madh për Bodo/Glimt në këtë edicion, pas fitoreve ndaj Manchester City dhe Atletico Madrid dhe barazimit me Borussia Dortmund.
Në takimet e tjera, Atletico Madrid u frenua në barazim 3-3 në fushën e Club Brugge. Spanjollët shpërdoruan avantazhin 2-0 të pjesës së parë, pasi belgët i barazuan pas një ore lojë. Madrilenët e panë veten sërish në avantazh 11 minuta përpara fundit falë një autogoli, por Club Brugge barazoi sërish në sekondat e fundit të lojës së rregullt.
Fitore bindëse 2-0 për Bayer Leverkusen në fushën e Olympiacos. Me këtë rezultat gjermanët hipotekuan kualifikimin nga ndeshjet “play-off”. Të njëjtën gjë kishte bërë më parë edhe Newcastle, që shkatërroi Qarabag me rezultatin 6-1 në Azerbajxhan.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)