Java e 25-të e Kategorisë Superiore dhuroi emocione në dy sfida për kreun dhe mbijetesën.
Në Ballsh, Bylis mposhti 2-1 Vllaznia në një fund të çmendur, duke rihapur plotësisht garën për titull. Pas një pjese të parë pa gola, Stoilov kaloi vendasit në avantazh në minutën e 48-të me një goditje të bukur nga distanca. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, drama shpërtheu në shtesë. Në minutën 90+7’, Sanogo shfrytëzoi një kundërsulm me portën bosh për të dyfishuar shifrat. Vetëm një minutë më pas, Tafili ngushtoi rezultatin për shkodranët.
Në minutat e fundit pati pretendime për penallti nga Vllaznia për prekje me dorë, por pas konsultimit me VAR-in, gjyqtarja la në fuqi vendimin e saj. Me këtë fitore, Bylisi ndez kampionatin, ndërsa Vllaznia humbet terren në krye.
Po kaq emocionuese ishte sfida mes Elbasanit dhe Vorës, e mbyllur 2-1 për verdheblutë. Olberkis zhbllokoi sfidën, Kasalla barazoi me supergol, ndërsa në minutën e 82-të Lleshi realizoi nga penalltia e fituar nga Loukili, mes protestave të miqve. Elbasani i afrohet kështu vendit të parë, duke e bërë edhe më të fortë luftën për titull.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)