Pavarësisht përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, Botërori 2026 i futbollit pritet të zhvillohet sipas planit. Këtë e ka konfirmuar drejtori operativ i turneut, Hermo Schirgi i cili theksoi se përgatitjet për kompeticionin që do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada janë në fazën përfundimtare.
Gjatë një konference në Dallas, ai u shpreh se madhësia dhe rëndësia globale e turneut e bëjnë të pamundur shtyrjen ose anulimin e tij. “Botërori është një event shumë i madh dhe sigurisht që do të zhvillohet. Situata po ndryshon çdo ditë dhe ne po e monitorojmë me kujdes, duke punuar me partnerët tanë për të gjetur zgjidhje”, deklaroi Schirgi.
Megjithatë, mbetet e paqartë pjesëmarrja e disa përfaqësueseve. Irani, për shembull, ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në turne, çka mund të krijojë një situatë të re për organizatorët.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Schirgi theksoi se Botërori mbetet një mundësi për të bashkuar njerëzit nga e gjithë bota. “Do të jetë diçka shumë e veçantë. Është një event global që i bashkon të gjithë, siç e kemi parë edhe në Katar dhe në Rusi. Duke parë gjendjen e botës sot, kjo do të jetë një mundësi e madhe”, u shpreh ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)