U largua nga fusha me barelë dhe mes lotëve, Arbër Hoxha jep sinjale pozitive

Pësoi ndërhyrje horror, ylli kuqezi i Dinamo Zagreb konfirmon se ndihet mirë dhe çështja u bë më e madhe nga sa ishte në të vërtetë. Kombëtarja e pret në formën më të mirë, për ndeshjen “play-off” të 26 marsit kundër Polonisë.

02.12.2025. 15:01

U largua nga fusha me barelë dhe mes lotëve, Arbër Hoxha jep sinjale pozitive

Kombëtarja dhe tifozët kuqezi ishin për orë me radhë në ankth. Ylli i Shqipërisë, Arbër Hoxha pësoi një ndërhyrje të rëndë, gjatë ndeshjes ndërmjet Dinamo Zagreb dhe Gorica. Në momentet e para të gjithë u alarmuan.

Sulmuesi duhej të dilte nga fusha në minutën e 85-të të ndeshjes, por gjyqtari nuk e lejoi zëvendësimin në ato momente. Pak minuta më pas, një prej lojtarëve kundërshtarë shkaktoi ndërhyrje të rëndë ndaj Hoxhës.

Futbollisti shqiptar u detyrua të largohej nga fusha me barelë dhe mes lotëve në minutën e 88-të. Ai do ti nënshtrohet kontrolleve të specializuara mjekësore në klubin kroat, të cilat do të konfirmojnë shkallën e lëndimit. Megjithatë, Hoxha ka dhënë sinjale pozitive, duke deklaruar se nuk vuan asgjë të rëndë dhe çështja u bë alarmante në media.

Gjithsesi, Kombëtarja shqiptare mbetet në pritje të konfirmimeve zyrtare nga Zagrebi. Më 26 mars 2026, kuqezinjtë luajnë sfidën gjysmëfinale në “play-off” kundër Polonisë. Nëse fiton, Shqipëria do të luajë në finale kundër fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, për një vend në fazën finale të Botërorit 2026. Eventi do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)