Shqipëria po hyn në periudhën më vendimtare të historisë së Kombëtares, teksa në mars kuqezinjtë do të përballen me Poloninë në play-off-in e Kupës së Botës 2026. Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, ka folur nga Italia për ambiciet historike të ekipit, duke theksuar se ëndrra e të gjithëve është kualifikimi në Botëror, që këtë verë mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Tekniku brazilian tregon për Gianluca di Marzio se stafi kuqezi ka nisur menjëherë punën për përgatitjen e sfidës që do të luhet në Varshavë, duke shtuar se me ndihmësit Doriva dhe Pablo Zabaleta, po udhëton në Evropë për të takuar lojtarët.
“Jam shumë komunikues dhe kemi krijuar një marrëdhënie të shkëlqyer me lojtarët. Nga janari deri në mars do të jetë periudha më e ngarkuar. Duam t’i shohim në fushë, të flasim me ta, t’i ndjekim nga afër”, ka treguar tekniku kuqezi.
Sylvinho shpjegon edhe vështirësinë e formatit të ri të Kupës së Botës, ku vetëm katër ekipe do të dalin fituese nga faza e play-off-it ku përfshihet edhe Shqipëria. “Italia, Suedia, Polonia… janë ekipe shumë të forta. Por forca jonë është bindja se mund të bëjmë mirë”, thekson ai.
Sipas tij legjionarët e Shqipërisë që prej vitesh tashmë aktivizohen në Serinë A do të jenë vendimtar në play off e muajit mars.
“Futbolli italian është i fortë, një ligë e vështirë. Ka shumë komponentë zhvillimi taktik dhe fizik. Kemi qenë në një udhëtim të mirë për tre vjet. Kemi vizituar shumë lojtarë në Itali. Janë djem që po mësojnë shumë. Ata luajnë në një ligë të madhe dhe mund ta shihni menjëherë rritjen e tyre”, deklaroi ai.
Në fund Sylvinho ndalet te dy yjet e rinj kuqezi, Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti, të cilët i konsideron një armë shtesë për play off-in.
“Më pëlqen shumë të shoh lojtarët të rriten. Kemi dy lojtarë që ishin në ekipin nën-21 vjeç një vit e gjysmë më parë dhe janë përmirësuar shumë. Njëri prej tyre luan për Leçen, Medon Berisha. E çova në Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, në mënyrë që të fitonte pak përvojë. Tjetri është Adrion Pajaziti, i cili tani luan për Hajduk Split në Kroaci. Ai ishte më parë te Fulham dhe më pas bëri një hap të rëndësishëm përpara. Janë dy lojtarë të ndryshëm, edhe pse të dy janë mesfushorë. Unë besoj shumë te të dy, ka edhe shumë të tjerë, por tani për tani, dy lojtarët që kanë bërë më shumë përparim janë ata”, nënvizon trajneri i Kombëtares.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)