Elseid Hysaj komentoi edicionin e Shqipërisë në kualifikuese dhe shortin në fazën play-off të Botërorit 2026.
“Mund të ketë qenë viti më i mirë në Kombëtare. Ishte një grup shumë i fortë. Shumica e tifozëve besoj se mendonin që nuk do të kalonim, por ja që ia dolëm. Më vjen keq sepse në vitet e kaluara kanë shkuar dy ekipe në Botëror, ndërsa këtë herë duhet të përballemi me play-off-in. Gjithsesi, ka qenë një vit shumë i mirë,” tha Hysaj.
Mbrojtësi u ndal specifikisht te ndeshjet kundër Serbisë, rivalit direkt në grup. Ai tha: “Ndeshja me Serbinë këtu në shtëpi ishte një ndeshje që mund ta fitonim. Aty besuam se ndeshja e radhës në Serbi do të ishte vendimtare. Kishim mundësi të fitonim sepse takimi i parë ishte luajtur shumë mirë dhe patëm shanse. Ajo na ndryshoi besimin për kualifikimin.”
Më tej edhe një vlerësim për rivalët e Kombëtares në “play-off". “Polonia është një ekip i fortë. Mendoja se mund të na binte një skuadër më e lehtë. Futbolli është i bukur sepse edhe në ndeshjet e vështira mund të fitosh. Mjafton një minutë për të gabuar, një minutë për të fituar dhe gjithçka ndryshon. Kemi luajtur shpesh me Poloninë dhe kemi pasur humbje. Por nëse luajmë si ndaj Anglisë dhe Serbisë, mund të fitojmë”, tha Hysaj.
“Si Ukraina edhe Suedia janë skuadra të forta. Suedia ka pasur humbje, por është shumë e fortë dhe me emra të mëdhenj. Suedinë ndoshta do ta kisha pasur më shumë qejf", përfundoi rekordmeni i prezencave me fanellën kuqezi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)