Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior, si dhe me dy zëvendëstrajnerët Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior. Kontrata e re do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026 dhe ka si objektiv kryesor kualifikimin për herë të parë në historinë e Kombëtares shqiptare në fazën finale të Kupës së Botës.
Nën drejtimin e Sylvinho-s, Kombëtarja ka regjistruar një progres të dukshëm në organizimin e lojës, identitetin taktikal dhe rezultatet. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka arritur për herë të parë në historinë e saj pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit 2026.
Në mars të vitit 2026, kuqezinjtë do të shkruajnë një kapitull historik, duke u përballur në gjysmëfinalen e “play-off” me Poloninë, më 26 mars. Në rast kualifikimi, Shqipëria do të ndeshet me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi për një vend në finalen e Kupës së Botës.
Vendimi për rinovimin e kontratës reflekton besimin e plotë të FSHF-së në stafin aktual dhe filozofinë e tij të punës, e cila ka sjellë rezultate pozitive dhe ka krijuar një bazë solide për vazhdimësinë. Ky hap synon forcimin e mëtejshëm të Kombëtares shqiptare, rritjen e konkurrencës dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)