Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner, numri 1 dhe 2 i renditjes së ATP, vijojnë të dominojnë skenën e tenisit botëror dhe pritet që rivaliteti i tyre të vijojë gjatë disa viteve në vazhdim. Të dy yjet do të përballen më 10 janar në Seul, në një ndeshje që shërben si përgatitje e fundit për Australian Open.
Në një intervistë të përbashkët për “Tennis Korea”, Sinner u shpreh i entuziazmuar për rikthimin në fushë: “Të luaj para tifozëve koreanë është emocionuese dhe një mundësi e madhe për të rifituar ritmin para Slam-it të parë të vitit”.
Alcaraz e mbuloi me superlativa rivalin e tij: “Jannik është një lojtar pothuajse pa pika të dobëta. Është i fuqishëm në sulm, shumë i shpejtë dhe i qëndrueshëm në mbrojtje. Për ta mposhtur, duhet të jesh i përqendruar nga fillimi deri në fund”.
Sinner ia ktheu komplimentet: “Carlos është ndoshta lojtari më i mirë. Çdo sfidë me të është një shtysë e madhe. Ai është i shpejtë, agresiv dhe luan çdo pikë sikur të ishte e fundit”.
Rivaliteti i tyre tashmë krahasohet me epokën e artë të Federer–Nadal. Alcaraz shtoi: “Besoj se e forcojmë njëri-tjetrin dhe shpresoj që ky rivalitet pozitiv të vazhdojë gjatë”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)