Australia ka nisur zbatimin e një prej ligjeve më të rrepta në botë, që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga personat nën moshën 16 vjeç. Që nga mesnata, platforma si Instagram, Facebook, TikTok, Snapchat, YouTube, Twitch e të tjera duhet të heqin aksesin për fëmijët, përndryshe rrezikojnë gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë.
Qeveria argumenton se masa synon të mbrojë të miturit nga bullizmi, varësia dhe përmbajtjet e rrezikshme, ndërsa kryeministri Anthony Albanese u bëri thirrje adoleshentëve të shfrytëzojnë pushimet për aktivitete jashtë ekranit, sport, libra, muzikë dhe kohë me familjen. Në javët e fundit, Meta kishte nisur heqjen e përdoruesve të mitur, çka shumë prej tyre e mësuan papritur, si 15-vjeçarja Grace, e cila tregon se u “shokua” dhe e përjetoi si “humbje”.
Megjithatë, ligji ka ndezur debat të fortë publik. Dy 15-vjeçarë i janë drejtuar Gjykatës së Lartë, duke pretenduar se ndalohet e drejta për komunikim. Ndërkohë, disa prindër që kanë humbur fëmijët nga bullizmi online e mbështesin fuqishëm masën, duke e konsideruar një mburojë të nevojshme. Të tjerë thonë se interneti është shpesh i vetmi mjet për të gjetur komunitet e mbështetje.
Edhe ekspertët e teknologjisë pranojnë se asnjë nga metodat e verifikimit të moshës, ID, analizë fytyre apo sjelljeje, nuk është plotësisht e sigurt, ndërsa shumë adoleshentë ka gjasa të gjejnë mënyra për të anashkaluar rregullat.
Ndërkohë, vendet e tjera po e ndjekin me vëmendje modelin australian. Danimarka, Norvegjia, Spanja dhe Malajzia po shqyrtojnë masa të ngjashme, ndërsa Mbretëria e Bashkuar thotë se “nuk ka plane” për një ndalim të tillë.
Australia, megjithatë, tashmë është bërë vendi i parë që e kthen këtë debat global në realitet.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)